“Viva Vija”, Spanja shkatërron Rusinë
“Duket se ishte një fitore e lehtë, por në të vërtetë nuk ishte e tillë”. Kjo ishte deklarata në të “nxehtë” e trajnerit të Spanjës, Luis Aragones.
“Hat-trick”-u i David Vijës i dha një fitore argëtuese Spanjës kundër Rusisë (4-1) në ndeshjen hapëse të Grupit D. Formacioni i Luis Aragones – skuadra më e shtrenjtë financiarisht, 251 milionë euro – i dha një leksion rusëve të drejtuar nga një prej takticienëve më të mirë në botë, trajneri holandez Gus Hidink. Spanja është kështu prej 17 ndeshjesh e pathyer.
"Fizikisht ata ishin një ekip i fuqishëm dhe na bënë shumë presion. Unë mendoj se ne ishim pak me fat”.
Me tre golat e realizuar, 26-vjeçari Vija është edhe golashënuesi më i mirë i turneut deri tani. Podolski i Gjermanisë, i dyti me dy gola. Pas Holandës, që fitoi të hënën 3-0 me kampionët e Botës, Italisë, Spanja shfaqet si pretendentja e dytë më e madhe e finaleve të Euro 2008. David Vija shfrytëzoi një asist të ëmbël të Fernando Torres dhe një pas të artë të Andres Iniestës për të realizuar në minutat 20 e 45. Sulmuesi i Liverpulit, Fernando Torres u shfaq i pakënaqur nga zëvendësim i tij nëntë minuta pas fillimit të pjesës së dytë, por Vija e festoi largimin e tij me golin e tretë në minutën 75-të. Me fantazistin e pezulluar Andrei Arshavin dhe sulmuesin e dëmtuar Pavel Pogrebnyak, Rusia nuk mund të bënte veçse një ngushëllim të vonshëm, kur Roman Pavlyuchenko (86’) realizoi golin e vetëm për vendin e tij, në ndeshjen më të keqe të Rusisë në një turne të madh. Ylli i Arsenalit, Çesk Fabregas, realizoi në kohën shtesë(91’) golin e katërt për Spanjën, duke dhënë njëherësh sinjalin e qartë se Spanja është një nga pretendentet e mëdha për të fituar pas 44 vjetësh trofeun e dytë europian, pas atij të vitit 1964.
Alarm te Çekia: “Bllokoni Ronaldon!”
Çeki-Portugali është dhe sfida më tërheqëse e serisë së dytë të ndeshjeve në Grupin A. Dy ekipet kanë fituar ndeshjet e para, respektivisht kundër Zvicrës (1-0) dhe Turqisë (2-0. Një rezultat pozitiv mund të konsiderohej edhe një barazim midis dy ekipeve, që janë dhe favorititët kryesore për të ndarë vendet 1-2, të cilat i çojnë në raundin çerekfinal. Kristiano Ronaldo pas golit të munguar në takimin e parë (një shtyllë kundër Turqisë) synon të vendosë emrin në listën e golashënuesve të turneut. “Çdokush e di, që Kristiano Ronaldo është një lojtar i shkëlqyer. Duke bllokuar atë, ne mund të frenojmë thuajse gjithë ekipin (Portugalinë). Ne do ta mbulojmë atë me dy lojtarë dhe nuk do t’i lejojmë asnjë hapësirë”, - tha mbrojtësi çek Jaroslav Plasil.
Sulmuesi çek Milan Barosh, golashënuesi më i mirë i Euro 2004, do të zëvendësojë mesfushorin Jaroslav Plasil për të qenë partner i Jan Koler në sulm. Trajneri Karel Brukner mund të vendosë për Marek Matejovskin në vend të Devid Jarolim në mesfushë.
Portugalia parashikohet të hedhë të njëjtën skuadër në fushë që mundi Turqinë 2-0. Portieri Nuno Espirito Santo u stërvit me skuadrën, pasi u thirr për të zëvendësuar Kuimin, i cili pësoi një frakturë në kyçin e dorës. Mesfushori i Portugalisë, Deko tha: “Që çekët patën vështirësi në ndeshjen e parë, kjo nuk do të thotë asgjë. Ne nuk duhet t’i nënvlerësojmë kurë ata. Mund ta pësosh për asgjë”.
Çekia (përfshirë edhe Çekosllavakinë) e Portugalia janë takuar 11 herë midis tyre. Çekia ka fituar 4 takime, ndërsa Portugalia 3 ndeshje. Ndeshja e parë midis dy vendeve daton në janar të vitit 1926 (1-1), por ajo nuk është njohur si një ndeshje zyrtare ndërkombëtare nga Federata Çeke. Ndeshje e tyre e fundit ishte çerekfinalja e Eur0 1996, kur Çekia fitoi 1-0 falë golit të Karel Poborskit.
Fakte
Çekia
Fitorja e Çekisë me Zvicrën ishte dhe suksesi i 50-të në 74 ndeshje i trajnerit Karel Brukner me skuadrën çeke. Çekia ka fituar gjashtë ndeshjet e fundit dhe është e pamundur në tetë të fundit.
Portugalia
Me fitoren kundër Turqisë, Portugalia e rriti në 12 numrin e ndeshjeve pa humbje. Midis shtatorit 2004 dhe korrikut 2006, Portugalia ishte e pathyer ne 17 ndeshje rresht. Humbja fundit daton, më 11 tetor 2006 me Poloninë (2-1).
Zvicër-Turqi, sfida e moralit
Zvicra, një nga dy organizatoret e Euro 2008, synon të arrijë kundër Turqisë fitoren e parë në Europian, kur ndeshjen e parë e humbi me Çekinë (0-1) në Bazel. Edhe skuadra turke humbi 2-0 me Portugalinë. Ekipi që do të humbasë i jep fund aventurës europiane. Zvicra do të luajë pa golashënuesin më të mirë të gjitha kohërave Aleksandër Frei, për shkak të një dëmtimi dhe do të mungojë gjatë gjithë turneut. Gjatë ndeshjeve miqësore të Zvicrës në dy vitet e fundit ai ka shënuar tetë gola në 11 ndeshje. Nëse do të luajë, Rikardo Kabanas do të plotësojë numrin 50 të ndeshjeve ndërkombëtare me Zvicrën. Turqia ka fituar shtatë nga 14 takimet e mëparshme me Zvicrën, që nga ana e saj ka fituar vetëm katër. Në tetë ndeshjet e fundit, Turqia ka fituar në katër raste, ndërsa Zvicra dy herë. Dy skuadrat nuk janë takuar kurrë në një kompeticion të madh. Takimi i tyre i fundit daton, më 16 nëntor 2005, kur Turqia mundi Zvicrën 4-2 në ndeshjet play-of për kualifikueset e Kupës së Botës. Zvicra u kualifikua pasi kishte fituar ndeshjen e parë 2-0. Futbollisti i fundit turk, që ka shënuar një gol në Kampionatin Europian është Hasan Sukur. Ai shënoi dy gola në ndeshjen kundër Belgjikës (2-0), më 19 qershor 2000, në fitoren e vetme të Turqisë në një Kampionat Europian. Kolin Kazim-Riçards, Gokan Zan dhe Sabri Sarioglu do të mungojnë në ndeshjen e tretë nëse ata do të marrin në takimin kundër Zvicrës karton të verdhë.
Zvicra
Nuk fiton në shtatë ndeshjet e tyre të fundit në Kampionatin Europian (dy barazime, pesë humbje). Kjo përbën edhe serinë më të gjatë pa fitore të një skuadre në kompeticion. Shpreson të shmangë fatin e Belgjikës (2000) si i vetmi vend organizator i Kampionatit Europian, që nuk kalon fazën e grupeve, qysh kur u aplikua raundi me eliminim në vitin 1984. 84.
Turqia
Ka fituar vetëm një nga tetë ndeshjet në Kampionatin Europian. Rezultatet e tyre me vetëm një fitore, një barazim e gjashtë humbje është më i keqi për çdo komb, që ka luajtur të paktën tetë ndeshje në këtë kampionat. Në këto ndeshje ka shënuar vetëm 3 gola, kundrejt 11 të pësuarve.
Lëv: “Kroacia më dinake se Polonia”
Kombëtarja Gjermane do të ndeshet në Klagenfurt të Austirsë, në të njëjtin stadium ku mundi Poloninë (2-0, gola të Luka Podolskit), kundër përfaqësueses kroate, që pas ditës së parë të ndeshjeve ka po tri pikë, sa skuadra e Joakim Lëv. “Nuk do të ketë shumë ndryshime nga formacioni i ndeshjes kundër Polonisë. Megjithatë çdo gjë do të vendoset vetëm të mërkurën në mbrëmje”, theksoi tekniku gjerman. “Do të mblidhemi me stafin e trajnerëve dhe do të diskutojmë forcën dhe dobësinë e Kombëtares kroate, pastaj do ti diskutojmë këto me lojtarët gjatë seancës stërvitore dhe gjatë analizave që do të bëjmë nëpërmejt videove. Kombëtarja kroate është ndryshe se kundërshtari ynë i parë në grup. Ata kanë një skuadër më të rafinuar dhe dhe me lojtarë shumë të mirë individualisht. Ne jemi një skuadër e cila kërkon vazhdimisht të luajë në sulmë dhe të krijoi gjatë gjithë kohës presionin mbi kundërshtarin për të mos i lënë shumë zona boshe për të luajtur”. Kapiteni i përfaqësueses Gjermane, Mikael Balak, është shprehur se atmosfera që mbizotëron në skuadër është e shkëlqyer. “Që nga botërori i 2006 skuadra është rritur shumë. Kemi një ndërthurje tepër të mirë midis lojtarëve të rinj dhe atyre që kanë vite me kombëtaren. Unë si kapiten kam një mbështetje tepër të madhe nga Torsten Frings dhe Jens Lehman.
KROACIA - Për trajnerin e përfaqësueses kroate Slaven Biliç mesfushori Modriç është një gjeni. Mesfushori 22-vjeçar Luka Modriç shënoi me penallti golin që i dha fitoren Kroacisë në ndeshjen kundër Austrisë. “Për mua Luka Modriç është një gjeni”, Ne nuk mund të arrijmë nivelin tonë më të mirë të lojës nëse Modriç nuk arrin formën e tij më të mirë”, theksoi tekniku i përfaqësueses kroate.
Korrupsion në futbollin polak
Pas një procesi gjigand kundër gjyqtarëve të korruptuar, funksionarëve të sportit dhe futbollistëve u dhanë edhe vendimet e para në Poloni. Gjykata e Vroklaut dënoi dy ish-futbollistë të skuadrës së Ligës së dytë polake, Polar Vroklau, nga katër muaj lirie me kusht. Dy futbollistët u shpallën fajtorë pasi tentuan të blinin një ndeshje për 25 mijë zloti kundër ekpit Schmiergelder.
11 Qershor 2008