E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nipi rreh për vdekje hallën

Nipi 32-vjeçar rreh për vdekje hallën e tij në kushte të rënda të depresionit mendor. 

PERMET/ PIRO NASE

Dashurie Hodobashi, 43 vjeçe, ka ndërruar jetë pasi është rrahur barbarisht me grushte, shkelma dhe mjete të forta nga nipi i saj, Vladimir Ademi.
Pas krimit autori është larguar nga vendngjarja, por ka rënë në prangat e policisë vetëm tri orë më vonë. Ngjarja e pazakontë ka ndodhur mesditën e djeshme në fshatin Vinokash 2, të komunës Ballaban në rrethin e Përmetit. Mësohet se 43-vjeçarja ka humbur jetën dy orë pasi u transportua në spitalin e Përmetit, ku mjekët nuk kanë mundur ta shpëtojnë atë pas masakrës çnjerëzore të shkaktuar nga nipi. Sipas të dhënave, ngjarja e rëndë është shënuar në orët e mesditës të së dielës, kur autori i krimit ka replikuar ashpër me hallën e tij, pasi ajo kërkonte të dilte në fushë e të punonte arën. “Unë të them që mos të dalësh nga pragu i shtëpisë, se Allahu më ka thënë të mos të lejoj”, mësohet t’i jetë drejtuar disa herë Ademi hallës. Mirëpo ajo mendohet ta ketë injoruar këtë apel të nipit. Në debatin e krijuar, Hodobashi i ka vënë në dukje Ademit se është një psikopat i rëndomtë i fshatit, që nuk është i zoti të gjejë një nuse. “Ti je një i sëmurë dhe për këtë nuk ta var asnjë vajzë nga fshati”, ka qenë fjalia e cila ka nervozuar së tepërmi 32-vjeçarin, i cili në një gjendje tepër të rënduar mendore e ka qëlluar fillimisht Hodobashin me grusht në fytyrë. Më pas ai e ka ulur nën vete dhe e ka goditur me grushte dhe shqelma në të gjitha pjesët e trupit. Sipas fqinjëve të banesës ku ka ndodhur ngjarja, nga 43–vjeçarja janë dëgjuar klithma si dhe të bërtitura për ndihmë. Në këtë moment fqinjët kanë lajmëruar me telefon policinë e Përmetit, e cila ka mbërritur në vendngjarje pasi është larguar autori i krimit. Grupi hetimor i mbërritur në banesën ku ndodhi krimi së bashku me mjekun ligjor, konstatuan pas këqyrjes së vendit të ngjarjes dhe trupit të viktimës se shkaku i vdekjes ka qenë dhuna shtazarake, e ushtruar nga Vladimir Ademi. Policia e Përmetit ka arritur të kapë autorin tri orë pas kryerjes së aktit kriminal. Ademi ishte larguar pas aktit në drejtim të pyllit të fshatit dhe ka qëndruar aty duke u lutur në drejtim të qiellit. Në këtë moment ai është kapur nga uniformat blu të policisë së Përmetit. Mbi 32-vjeçarin rëndon vepra penale e plagosjes së rëndë me dashje me pasojë vdekjen. Policia ka përcjellë dosjen me të dhëna në organin e akuzës së Gjirokastrës për veprime të mëtejshme. Sipas të dhënave të servirura nga banorët e fshatit në fjalë, viktima Dashurie Hodobashi jetonte në një shtëpi me nipin pas vdekjes së të shoqit para tre vjetësh në Berat, ku ishte e martuar. Pas humbjes së burrit të vet, ajo është rikthyer në shtëpinë e të atit e vetme, duke i lënë dy fëmijët në fshatin SOS.

Precedenti në Himarë
Një 73-vjeçar u vra barbarisht nga një i sëmurë mendor paraditen e 6 majit të këtij viti në një nga rrugët kryesore të Himarës. Pirro Bollano u masakrua me armë të ftohta nga Bledi Xhaferri, 24 vjeç. Pas krimit, autori, i cili u arrestua pa bërë kurrfarë rezistence, është gjunjëzuar përpara viktimës dhe ka filluar të bërtasë “Krishti u ngjall” dhe “Zoti më shpëtoi”, duke krijuar tmerr dhe panik te banorët që janë ndodhur aty pranë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›