E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të strehuarit e Gërdecit, ikin 20 familjet e para

DURRES - Shtyhet me një javë ultimatumi i Qeverisë drejtuar banorëve të Gërdecit, të cilët pas tragjedisë janë strehuar në konvaleshencat e Ministrisë së Mbrojtjes dhe asaj të Brendshme në Durrës. 

Burimet saktësojnë se, largimi i detyruar i 350 të strehuarve do të ndodhë të hënën e ardhshme dhe në këmbim të largimit, çdo kryefamiljari do t’i dorëzohet një çek prej 25 mijë lekësh në muaj. Gjetja e shtëpisë me qira është lënë në dorë të familjarëve, ndërsa qeveria do të mbulojë financiarisht shpenzimet e qirasë deri në një periudhë gjashtëmujore. Njëzet familjet e para u larguan dje me dëshirë nga Konvaleshenca pas ultimatumit të Qeverisë. Ndërkohë përfaqësues të “Mjaft”, dhe shoqëria civile kanë shprehur edhe të dielën mbështetjen nga jashtë kangjellave për banorët e Gërdecit. Dera kryesore nuk është hapur jo vetëm për “Mjaft” dhe shoqërinë civile, por edhe për mediat. Nga ana tjetër banorët shprehen se nuk do të largohen nga këto hotele, deri sa të fusin këmbët në shtëpitë e tyre në Gërdec kur ato të jenë të riparuara plotësisht. Banorët e dëmtuar prej tragjedisë shprehen se “çmimet e shtëpive me qira janë rritur në Vorë dhe për pasojë shifra prej 25 mijë lekë në muaj është e pamjaftueshme. Burime nga konvaleshenca shprehen se “të hënën secilit kryefamiljar do t’i dorëzohet çeku në këmbim të lirimit të dhomave”. Pak ditë më parë banorët e Gërdecit që ndodhen të strehuar përkohësisht në Konvaleshencë, zhvilluan një protestë duke kërkuar strehim. Ata janë shprehur se kanë humbur shtëpitë, punën dhe pronat prandaj 25 mijë lekët e caktuara nga qeveria për të mbuluar qiratë e strehimit diku tjetër janë të pamjaftueshme për të përballuar shpenzimet e jetës së përditshme. Ministria e Brendshme në Tiranë ka reaguar dje publikisht, lidhur me çështjen e banorëve të Gërdecit, që ndodhen në Konvaleshencë.
Ministria
“Ministria e Brendshme deklaron për opinionin publik se çështja e strehimit të familjeve, të cilave iu dëmtuan banesat nga shpërthimi i municionit në Gërdec, është trajtuar nga qeveria me shumë kujdes dhe me të gjithë mbështetjen e duhur në vijimësi”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme Fatmir Konja, në një konferencë shtypi. Ai është shprehur se hapi i parë ishte strehimi i banorëve të Gërdecit në ambientet e shtëpive të pushimit të Ministrisë së Brendshme dhe asaj të Mbrojtjes, pa përmendur koordinimin e punës dhe mbështetjen financiare për akomodimin edhe në ambiente private. “Së dyti është kryer dëmshpërblimi për dëmtimin e banesës për të gjitha familjet”, vijoi më tej zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme. Ai tha se: “Pasi kanë qëndruar në ambientet e sipërpërmendura për afro 2 muaj e gjysmë dhe përfituar dëmshpërblimin për banesat, qeveria mori vendimin që t’u paguajë familjeve një qira mujore prej 25 mijë lekësh, për një afat kohor prej 6 muajsh, e në raste të veçanta edhe 1 vit. Kjo periudhë kohore vlerësohet e mjaftueshme për rindërtimin e shtëpive nga banorët”, thuhet nga Ministria e Brendshme. Ky institucion është shprehur dje se “i fton për mirëkuptim dhe vlerësim të mbështetjes së qeverisë familjet e dëmtuara nga shpërthimi i Gërdecit, ndërkohë u bën thirrje të gjithë të interesuarve të tjerë të mbështesin ecurinë e procesit”. Pak ditë më parë autoritetet u komunikuan banorëve të Gërdecit të strehuar në Durrës se duhej të lironin godinat e Konvaleshencës për shkak të afrimit të sezonit turistik. Banorët kanë kundërshtuar të largohen nga godinat qeveritare në Durrës.           o.u

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›