Pëson frakturë në dorë, Januzi nuk luan kundër Uzbekistanit
Ishte i riu i vetëm, të cilit Josip Kuzhe kishte menduar t’i jepte një shans në miqësoren e 11 gushtit kundër Uzbekistanit. Nga lojtarët e shumtë që u vëzhguan në stërvitje dhe gjatë dy ndeshjeve të mëparshme me Malin e Zi dhe Andorrën, Ahmed Januzi, u grumbullua sërish në radhët e kuqezinjve. Megjithatë, sulmuesi 22-vjeçar nuk do të jetë në gjendje të debutojë me Kombëtaren shqiptare as në takimin që do të luhet të mërkurën e ardhshme në “Niko Dovana” të Durrësit. Lojtari, i cili militon me Vorskla Poltavën në Vyscha Liga-n ukrainase ka pësuar një frakturë në dorë, gjatë aktivizimit në ndeshjet e kampionatit. Si pasojë e lëndimit, Januzi bëri të ditur se nuk do të jetë në gjendje të luajë kundër Uzbekistanit. “Shanset që të aktivizohem në miqësoren e Kombëtares janë shumë të vogla, për mos të thënë që nuk ka fare. Kjo për shkak se kam thyer dorën dhe tashmë jam në fazat fillestare të rehabilitimit. Për këtë arsye nuk duhet të rrezikoj”, ka deklaruar Januzi për kosovaren “Express”. Edhe pse nuk do të jetë i gatshëm për të zbritur në fushën e lojës, Januzi konfirmoi se do t’i përgjigjet pozitivisht ftesës së trajnerit Josip Kuzhe dhe do të paraqitet në grumbullimin e skuadrës për testin e 11 gushtit. Sipas procedurës standarte, të gjithë futbollistët me probleme paraqiten në grumbullime, ndërsa më pas është stafi mjekësor i përfaqësueses ai që thotë fjalën e fundit rreth aktivizimit të tyre. Sulmuesi vazhdoi: “Mjekët e Vorsklës më kanë thënë të pushoj të paktën edhe dy javë. Megjithatë, do t’i bashkohem Kombëtares dhe do të bëj një kontroll me mjekët e ekipit kuqezi. Janë ata të cilët duhet të vendosin nëse unë jam në gjendje të luaj apo jo. Gjithsesi, e them edhe një herë: nuk besoj se do të mund të luaj me përfaqësuesen”. Pamundësia për të luajtur edhe në këtë miqësore, natyrshëm që ka shkaktuar keqardhje te lojtari i ri, i cili shihet si një alternativë e vlefshme për repartin ofensiv: “Më vjen keq që fati nuk po më ndihmon të debutoj sa më shpejt në Kombëtare. Megjithatë, besoj se shumë shpejt do të vijë dita të luaj me Shqipërinë dhe e rëndësishme është që jam në planet e trajnerit”.
#