Kapllani firmos për Karlsuhen deri në 2010

Nuk mund të ndodhte ndryshe. Është shndërruar në idhullin e tifozerisë së Karlsruhes dhe në një nga lojtarët më të rëndësishëm të kampioneve të Bundesligës 2. Sulmuesi shqiptar Edmond Kapllani zgjati deri në vitin 2010 kontratën me skuadrën e porsangjitur në 18 ekipet më të mira të Gjermanisë. Lajmi është zyrtarizuar nga drejtuesit të klubit nga Baden. Kështu, lojtari i Kombëtares së Shqipërisë (autor i tre golave në dy ndeshjet e fundit kundër Luksemburgut) do të luajë për blutë e Karlsruhes edhe për dy vite të tjera, deri më 30 qershor 2010, pasi kontrata e tij e mëparshme skadonte në vitin 2008. "Nëse ai nuk do të ripërtërinte kontratën, ne do ta nxirrnim në merkato", - pohoi Dohmen për faqen zyrtare të klubit pas nënshkrimit të kontratës së Kapllanit. Sulmuesi shqiptar hodhi poshtë një ofertë joshëse të ardhur nga klubi francez Rasing Strasburg. Sezonin e kaluar durrsaku ishte golashënuesi i dytë më i mirë i ekipit të tij me 17 gola si dhe fitues i "Këpucës së argjendtë" të Bundesligës 2. 24-vjecari ka qenë shpesh ditët e fundit në qendër të mediave gjermane kjo falë edhe performancës së tij në rritje në një kampionat të vështirë si ai gjerman. I ardhur në Gjermani në vitin 2004 me rekomandimin e ish-trajnerit të ekipit Kombëtar të Shqipërisë, gjermanit Hans Peter Brigel, Kapllani pati një fillim shumë të vështirë, ku përziheshin problemet me gjuhën gjermane, ambientimin me lojën e skuadrës dhe lufta e fortë për kapjen e një vendi titullar. Nëse në vitin e parë u aktivizua vetëm në 15 ndeshje (një gol), në sezonin e dytë të tij (2005-2006) Kapllani luajti si titullar në 25 ndeshje, duke shënuar 6 gola, një mesatare që kishte filluar ta evidentonte si një sulmues me vlera të pritshme. Menaxheri Rolf Dohmen, një ish-futbollist i njohur gjerman dhe nga viti 2002 menaxher, ishte njeriu që luajti një rol të dorës së parë në përtëritjen e kontratës së Kapllanit. Dohmen ka pasur gjithmonë besim te Kapllani, madje edhe atëherë kur futbollisti shqiptar përjetonte një periudhë krize. "Cdo trajner do të dëshironte ta largonte atë. Unë u kujdesa për të si për një bimë", - tregon Dohmen, që nga ana tjetër profetizoi se Kapllani do të bëhej një lojtar i madh. Numri "9" i Karlsruhes tregon pjekuri pas cdo ndeshjeje dhe kurba pati vetëm rritje. Në sulmin e Karlsruhes që është në sistemin e ri 4-3-2-1, që trajneri Edmund Beker do të përdorë gjatë ballafaqimeve në Bundesligë, Kapllanit i është besuar "maja" e sulmit duke qenë kështu edhe interpretuesi kryesor i ideve të trajnerit të tij, njëherësh edhe nga admiruesit publikë të shqiptarit. Karlsruhe u rikthye në Bundesligë pas nëntë vitesh mungesë dhe siti gjerman handelsblatt.com shkruante se Kapllani është një nga titullarët e padiskutueshëm të ekipit, fakt që konfirmohet edhe nga nënshkrimi i kontratës me vlera më të mëdha financiare se ajo që Edmondi nënshkroi para një viti për vetëm një sezon.
Shqiptarët e Bundesligës
Në Bundesligën e Parë gjermane këtë vit do të luajnë tre lojtarë shqiptarë. Përvec Edmond Kapllanit, me Karlsruhen në elitën e futbollit gjerman aktivizohen edhe Altin Lala, kapiteni i Hanover 96, si dhe fantazisti vlonjat Ervin Skela, i cili luan për Energi Kotbus. Sezonin e kaluar, në Bundesliga 1 aktivizoheshin edhe Fatmir Vata për Arminian e Bielefeldit, i transferuar tashmë te Tus Koblenc (Bundesliga 2) dhe Besart Berisha, ish-lojtar i Hamburgut, i cili para disa ditësh kompletoi transferimin te FC Bërnli në Angli. Në Bundesliga 2 luan edhe Skerdilajd Curri (Erzgebirge Aue) dhe Bekim Kastrati, tashmë i transferuar te Fortuna Dyseldorfi.