Kapllani, “gjermani” më i mirë i javës: nota 2

Sulmuesi shqiptar i Karlsruhes, Edmond Kapllani, që e nisi me gol sezonin 2006-2007 në Bundesligën e Dytë gjermane, në fitoren 4-0 të Karlsruhes në transfertë me Wacker Burghausen, është futbollisti më i vlerësuar shqiptar që luan në Gjermani.
Durrsaku shënoi golin e tretë të takimit në minutën e 72-të dhe nga revista prestigjioze gjermane "Kicker" përmes shërbimit të saj on-line, është vlerësuar me notën shumë të mirë 2. Këtë vlerësim e kanë marrë edhe Egimann (2), Franz (2), Federico (2). Lojtari më i mirë i Karsruhes ka qenë kolegu i Kapllanit në sulmin e Karlsruhes, Sebastian Freis me vlerësimin më të mirë të mundshëm: 1. Kapllani luajti vetëm 84 minuta në ndeshjen e parë të Bundesligës 2, për t'ia lënë vendin më pas Jan Manerit.
Sulmuesi kavajas Skerdilajd Curri, që luajti për vetëm 62 minuta në ndeshjen Erzgebirge Aue- Unterhaching 1-0, është vlerësuar nga "kicker" me notën e pëlqyeshme 4.
Krejt i ndryshëm është vlerësimi për dyshen Bekim Kastrati-Mehmet Dragusha, në derbin e "shqiptarëve": Eintraht Bruanschweig- SC Padeborn.
Sulmuesi Kastrati, që luajti për 90 minuta është vlerësuar me notën më të dobët për ekipin e tij, Eintraht Bruanschëeig, me atë 4,5, ndërsa mesfushori Mehmet Dragusha, që u aktivizua vetëm në minutën e 90 të takimit, nuk mori asnjë vlerësim nga specialistët për vetë kohën e pakët që luajti.
Pa vlerësim ka qenë edhe kandidati për fanelën kuqezi, sulmuesi Besart Berisha, që luajti vetëm 26 minuta e fundit, ku pati rastin të godiste dhe shtyllën.
Në ekipet e tjera si Arminia Bielefeld apo dhe Hanover 96, si Fatmir Vata ashtu dhe kapiteni Altin Lala, nuk u aktivizuan, i pari për shkak të dëmtimit të gjatë, i dyti ende pa ndonjë arsye të njohur.
Dash Frashëri