E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapllani shikon portugezët nën presion, jo Shqipërinë

 

Edmond Kapllani e ka ndjerë veten gjithnjë pjesë të Kombëtares, edhe pse në ndeshjet e fundit, ish-trajneri i Shqipërisë, Ari Han, nuk preferoi ta grumbullonte. Gjithsesi, sulmuesi durrsak e ka treguar gjithnjë veten me Kombëtaren. “Kishte ardhur momenti që ai duhej të largohej,”- tha shkurtimisht Kapllani për ish-trajnerin holandez të kuqezinjve. Më tej, sulmuesi 26-vjeçar foli për sfidën e radhës eliminatore me Portugalinë. “Mendoj se presioni për këtë ndeshje nuk është mbi ne, por mbi portugezët. Duhet të luajmë qetë dhe të shfrytëzojmë këtë faktor. Natyrisht që do të jetë një ndeshje shumë e vështirë, sepse Portugalia do të kërkojë patjetër fitoren. Shpresojmë që t’i prishim punë edhe këtë herë, duke kënaqur publikun dhe veten,” pohoi durrsaku. Para pak ditësh, ai kaloi te ekipi i Bundesligës 2, Augsburg, duke e lënë Karlsruhen, pas pesë vitesh aktivizim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›