Xhani, letër Topit: Mbroni Partizanin!
Me përulësi, respekt dhe dinjitet i drejtohet kreut të shtetit. Një letër, me anë të cilës ai tenton të vërë sadopak drejtësi mbi atë që ai e cilëson “puç” ndaj skuadrës së tij. E nis nga fillimet në krye të klubit, me problemet financiare, përplasjet me drejtuesit e federatës, gjykimet tendencioze dhe e përfundon me një “mea culpa” në drejtim të Presidentit Bamir Topi por edhe tifozëve të shumtë të skuadrës së kuqe. Ky është Albert Xhani, presidenti i Partizanit, protagonisti kryesor i fundjavës së shkuar në Superligën shqiptare. “Prej gati një dekade jam në krye të klubit Partizani. Pasi arrita përmes mundimesh ta shkëpus nga duart e disa të huajve që donin të abuzonin me emrin e këtij klubi, jam financuesi i vetëm i tij. Duke pranuar pjesën time të gabimeve, ajo që kam vërejtur është një strategji e tërë e ngritur me synim shkatërrimin, pse jo, eliminimin e këtij klubi”, ka deklaruar presidenti Xhani. Më tej, Xhani ka akuzuar politikën dhe segmente të caktuara në federatë që kanë bërë të pamundurën për të ndëshkuar skuadrën e Partizanit. “Ndaj këtij klubi, që tashmë është kthyer në shënjestër të disa grupeve me interesa të pastra financiare, ka rinisur dhe një fushatë me petk politik. Ky i fundit s’është veçse një mbulesë për arritjen e qëllimit të paravendosur për ta shuar këtë emër nga historia e futbollit shqiptar. Përmes gjykimesh që janë kontestuar sistematikisht prej nesh, Partizani, sidomos i këtij sezoni, është dëmtuar qëllimisht”, thekson Bert Xhani. Në fund Njëshi i klubit të kuq prek edhe çështjet e privatizimit të klubit, si dhe ndërhyrjet për marrjen e godinës të KF Partizanit nga të ashtuquajturit pronarë të vërtetë të tokës. “Prej kohësh ka nisur sulmi ndaj klubit. Pasi na lanë pa stadium, pasi më mohuan në mënyrë të përsëritur kërkesën për të ecur në rrugën e privatizimit, çka do të thoshte marrjen me koncension të terreneve të klubit, tani po kërkojnë të na nxjerrin në rrugë të madhe”, ka përfunduar letrën e tij presidenti i KF Partizanit, Albert Xhani.