Projekt për zbulimin e plotë të Hadrianopolit
U prezantua pak ditë më parë projekti i ri dyvjeçar për parkun e ri arkeologjik në Hadrianopol afër fshatit Sofratikë në rrethin e Gjirokastrës. Territori i zënë nga qyteti romak i Hadrianopolit, është në pjesën më të madhe nën shtresat e dheut. Sipas specialistit italian Roberto Perna, sot është zbuluar vetëm Teatri Antik dhe një pjesë e zonës urbane të zbuluara gjatë gërmimeve që po kryhen prej vitit 2005 e në vazhdim nga Universiteti i Maceratës në Itali. Territori i Luginës së Drinos, është plot me pasuri arkeologjike të një rëndësie mjaft të madhe, që duhet të njihen për të vazhduar me instrumentet e planifikimit që do të finalizohen. Për zotin Perna, objektivi i projektit në fjalë është fillimi, organizimi dhe strukturimi i Parkut në mënyrë që të bëhet një mjet tutelimi dhe vlerësimi për gjithë territorin përreth. Për specialistët italianë ky aktivitet parashikon riçeljen e kanalit për kullimin e ujërave të shiut, që grumbullohen në zonën e Amfiteatrit.