Gjon Muzaka: Si i shtoi zotërimet Skënderbeu
“...Luftërat e zotit Skënderbe me turkun zgjatën pa ndërprerje rreth 24 vjet, dhe pas vdekjes së këtij, zotërit e tjerë të Shqipërisë luftuan edhe shtatë vjet të tjerë; Zoti Skënderbe ishte i zgjuar, i fuqishëm dhe mjaft i hapur; në krahasim me paraardhësit e tij, ai ishte më i madhi zot i Shqipërisë; pasi shtiu në dorë Matin, që ishte zotërim atëror, pushtoi edhe qytetin e Krujës, që nuk kishte qenë ndonjëherë zotërim i të jatit, dhe pasi u zgjodh kapiten i përgjithshëm i zotërve të Shqipërisë, për pak kohë thuri plane për të shtënë në dorë gjithë atë vend; kështu zuri rob vëllezërit Balsha, zotin Gjon dhe Zotin Kojk, të cilët ia dërgoi Mbretit Ferrante plakut, në Napoli, në mënyrë që ky t’i mbante në burg, dhe për rrjedhojë u hoqi atyre zotërimet mes Krujës dhe Lezhës, d.m.th., vendet e Misies. Edhe Moisi Komnenit i rrëmbeu zotërimet në Dibër; ky Moisiu ishte një burrë trim e i zoti; dhe meqenëse nuk mundi ta durojë një padrejtësi të tillë, ia mbathi tek turku, i cili e vuri në krye të një ushtrie të tij dhe e dërgoi kundër Skënderbeut; por ky i çoi fjalë që të kthehej, sepse e konsideronte si vëlla, dhe meqenëse Moisiu e dinte mirë se me turqit nuk ishte i sigurt dhe meqenëse nuk dëshironte që ata të shtrinin pushtimet e tyre me gjakun e të krishterëve, u kthye sërish tek Skënderbeu. Kur vdiq im atë, ky na rrëmbeu edhe neve Tomonishtën, d.m.th., Myzeqenë e vogël dhe po ashtu i mori zotërve të tjerë krahinat e Komit e të Randishës pa gjetur ndonjë qëndresë, pasi ai tashmë ishte fuqizuar me njerëz të armatosur, ndërkohë që rreziku turk rrinte pezull orë e çast dhe shpresat e tij u shtuan kur Papa Piu i dytë vendosi të organizojë kryqëzatën; por kur Papa në fjalë vdiq, filloi të humbë shpresat...”