Pëllumb Xhufi: Shqipëria mesjetare, jo një vend primitiv
ALMA MILE
Ata janë fija e kuqe që përshkon gjithë studimin prej 460 faqesh. Është ekzemplari i familjes së madhe mesjetare shqiptare, por edhe një pasqyrë e gjithë Shqipërisë së asaj kohe. “Nga Paleologët tek Muzakajt: Berati dhe Vlora në shek. XII-XV”, është libri studimor që historiani Pëllumb Xhufi i sjell lexuesit, përmes shtëpisë botuese “55”. Kjo vepër, e cila i ka kushtuar autorit vite të tëra kërkimi në bibliotekat shqiptare e të huaja, shfletimin e qindra faqeve dokumentacion në gjuhët e vjetra, ka në qendër të tij familjen e madhe të Muzakajve, një ndër më të rëndësishmet e kohës. Sipas Xhufit, Muzakajt janë nga të rrallat familje fisnike, që dëshmohen në majën e shoqërisë shqiptare që në shek. XI deri në shek. XV. Përmes tyre, ofrohet edhe një panoramë e organizimit të familjes së madhe shqiptare, të asaj kohe, kryesisht bazuar në kultin e vëllazërisë. Gjatë viteve si historian, por më së shumti gjatë kërkimeve për këtë studim, Xhufi është ndeshur me ide nga më të ndryshe të historianëve të huaj, të cilët e paraqesin Shqipërinë mesjetare si një vend arkaik e që u “civilizua” vetëm për shkak të ndikimit të pushtuesve të huaj. “Objekti i studimit tonë ka qenë pikërisht evidentimi i rolit historik të elementit vendas, të artikuluar në të gjitha shtresat sociale, në evolucionin historik të trevës së Vlorës dhe Beratit. Pra, fokusi ynë ka qenë zbulimi i asaj Shqipërie “shqiptare”. Për të hyrë në brendësi të këtij dimensioni, të neglizhuar nga historiografia e huaj, na është dashur t’i qasemi me një vështrim gjithëpërfshirës të gjithë dokumentacionit të njohur, na është dashur ta rilexojmë atë nga e para dhe të vëmë në punë edhe dokumentacionin e ri”, - sqaron Xhufi në hyrje të veprës. Historiani ndalet në veçanti në kronikat e Gjon Muzakës, shkruar në vitin 1510, në kohën kur ai emigroi në mbretërinë e Napolit. Kronika e Gjon Muzakës plotëson një boshllëk të madh, jo vetëm në historinë e kësaj familjeje, por dhe të familjeve dhe zotërimeve kryesore shqiptare të kohës. Albanologu J. G. Von Hahn, të cilit iu dhurua një ekzemplar i Kronikës nga historiani gjerman Karl Hopf, e quan këtë kronikë “perlën e materialeve tonë për Shqipërinë”. Ai ofron modelin e funksionimit të një familjeje, por sjell edhe të dhëna të vlefshme për marrëdhëniet mes familjeve, mes të cilave edhe me kryezotin Gjergj Kastriot Skënderbeu. Gjon Muzaka e përshkruan atë si një zot të madh, trim tepër të zgjuar, por përshkruan edhe mënyrën se si ai zgjeroi kufijtë e tij, duke përvetësuar pronat e familjeve dhe fisnikëve të tjerë shqiptarë.
Gjithnjë duke iu referuar materialeve arkivore e duke iu përgjigjur pretendimeve të historianëve të huaj, Pëllumb Xhufi thekson se “shoqëria shqiptare edhe në Despotatin e Beratit ishte në shek XIII mjaft mirë e strukturuar”. Ai rendit të gjitha shtresat e shoqërisë, duke nisur që nga bujqit sedentarë, që punonin arat e vreshtat e feudalëve, blegtorët që lëviznin vazhdimisht mes kullotave verore e dimërore, krerët feudalë që zotëronin prona të gjera dhe që lidheshin me fije vasaliteti e eprorë e vartës të tyre, kapedanët e luftëtarët e detit e tokës, që jetonin duke ushtruar piraterinë e plaçkën, ose duke vënë në shërbim të qeveritarëve të radhës, pinjollët e patriciatit të vjetër të qytetit, fisnikët e qytetit, që merreshin me tregti e artizanat, por ndonjëherë kryenin edhe funksione civile e ushtarake, pinjollët të familjeve dinastike të huaja, vendosur në Shqipëri, klerikët eruditë e bibliofilë, që ishin njëherësh sekretarë e diplomatë të zotërve të tyre. Pra, një strukturë shoqërore, të cilën e gjeje edhe në vendet e tjera përreth.
Rruga e një historiani
Studimi “Nga Paleologët tek Muzakajt: Berati dhe Vlora në shek. XII-XV” është fryt i një pune kërkimore shumëvjeçare të realizuar sa në bibliotekat e vendit e arkivat e huaja nga historiani Pëllumb Xhufi. I diplomuar për “letra klasike” në universitetin “La Sapienza”, në Romë, për të thelluar më tej studimet për histori e filologji në Greqi, Gjermani e Austri. Pavarësisht përfshirjes së tij në politikë, Xhufi nuk i është ndarë asnjëherë punës kërkimore. Sipas autorit, materiali burimor mbi të cilin u ngrit ky studim janë dokumentet në gjuhën latinisht e greqishte bizantine. “Si asnjëherë i jam mirënjohës dy personave, që përcaktuan kursin e jetës sime. I jam mirënjohës tim eti, që me përkujdesje, por edhe me autoritet atëror, 40 vjet më parë më imponoi studimin e gjuhëve klasike, në një kohë kur ma kishte marramendjen frëngjishtja e filmave të Belmondo-s dhe këngëve të Holliday-t. I jam pafundësisht mirënjohës profesorit të profesorëve të jetës sime, të urtit e të qeshurit në vuajtje, Pashko Gjeçi, që bashkë me latinishten më mësoi edhe virtytin e punës, të përmbajtjes e të modestisë”, - shkruan Pëllumb Xhufi, pa harruar të përmendë edhe profesorin Aleks Buda, i cili ndikoi në karrierën e tij prej historiani.
Ku gabon Schmitt
Kur flet për kronikat e Gjon Muzakës, historiani Pëllumb Xhufi, thotë se emri i kronikanit është “keqpërdorur” nga historianë të ndryshëm, mes të cilëve dhe Oliver J. Schmitt, libri i të cilit mbi Skënderbeun, bëri bujë të madhe në nëntorin e vitit të shkuar. Sipas Xhufit në kronikën e Gjon Muzakës është përfshirë edhe një variant i “Historisë së turqve” me autor Teodor Spandugjinon. Xhufi e konsideron një autor “të pavëmendshëm” historianin Schmitt, i cili i referohet gabimisht Muzakës, për rrëfime që nuk kanë të bëjnë me të, por shtojcës së hartuar nga Spandugjino dhe që Kostandin Muzaka ia shtoi kronikës së të atit.