Ben Blushi prezanton Otellon në Vlorë
Pas promovimit në Tiranë, Ben Blushi, prezanton romanin e tij të fundit në vendin ku zhvillohen ngjarjet e librit të tij. Nesër, Ben Blushi prezanton para lexuesit vlonjat romanin e tij, “Otello, arapi i Vlorës”. Aktiviteti do të zhvillohet në orën 19.00 në ambientet e teatrit “Petro Marko”. Ndonëse nuk ka shumë kohë që ka dalë në treg, romani i ri i Blushit, ka tërhequr menjëherë vëmendjen e lexuesit me historinë e tij intriguese. Blushi rimerr personazhet e Shekspirit, Otellon, Desdemonën, Jagon e Kasin dhe i vendos në Venedik e në Vlorë. Teksa shtjellon historinë tragjike të Otellos, njeriut me ngjyrë që ndihet i braktisur nga të gjithë, Blushi ofron edhe një panoramë të Vlorës e bashkë me të edhe të gjithë Shqipërisë së mesjetës. Pjesë të trillit të tij artistik, Blushi bën edhe Presidentin amerikan, Barak Obama. Ai heq një paralele mes këtij të fundit dhe arapit të Vlorës, ndonëse jo në mënyrë të drejtpërdrejtë. Paralelja qëndron tek përpjekja e të dyve për t’u pranuar, për t’u bërë pjesë e së tërës, pavarësisht ngjyrës së lëkurës, racës, fesë, apo edhe mendimeve e idealeve.