Kapllani simbol i sulmuesve që nuk gjejnë golin
Trajneri i Karlsruhes, Edmund Beker, para disa ditësh mori disa xhirime të ndeshjeve të edicioneve të kaluara. Duke i shikuar ato atij nisën t’i kujtohen ca gjëra. “Për shembull Edmond Kapllani ka qenë dikur për ne një lojtar i rëndësishëm”, thotë Beker. “Edmond Kapllani, i cili te Karlsruhe njihet me nofkën ‘Edi’, është bërë simbol i sulmuesve që nuk gjejnë më golin”, shkruante dje “sueddeutsche.de”. Karlsruhe ka arritur të shënojë vetëm 18 gola në 23 ndeshje. Sulmuesit janë bërë temë e fyerjeve të tifozëve. Madje, një tifoz i Karlsruhes nga tribunat i propozoi Bekerit që ta vendoste atë në sulm. Kapllani 26-vjeçar nuk ka asnjë gram të tepërt. “Unë jam në formë të mirë”, thotë ai. Kapllani është i lumtur që dikush do interesohet për të. Sulmuesit e Karlsruhes së bashku kanë shënuar 12 gola, ndërsa Sebastian Freis ka shënuar 7 prej tyre. Kapllani nuk ka shënuar asnjë gol. Por, për shqiptarin ka një arsyetim ngushëllues. Statistikat flasin se ai ka qëndruar në fushë vetëm 531 minuta. Sulmuesi shqiptar ka luajtur vetëm në dy ndeshje 90 minuta, ndërsa në duelet e tjera është futur në pjesën e dytë, apo është larguar në pjesën e dytë. Ndeshjen e fundit e zhvilloi të shtunën me Arminia Bielefeldin, ku sërish nuk gjeti golin, ndërsa skuadra e tij humbi me rezultatin 1-0. Kapllani luajti gjatë gjithë takimit. Sezonin e kaluar ai shënoi vetëm dy herë në 28 ndeshje. Megjithatë, ai është ende i adhuruar nga skuadra për faktin se ka qenë pjesë e kohëve të suksesit të Karlsruhes. Me 17 gola Kapllani kishte ndihmuar Karlsruhen të ngjitej në Bundesligën 1 në sezonin 2006/07. Ai ishte shënuesi i dytë i skuadrës pas Xhovani Federikos. Pas asaj performance, shqiptari pati oferta nga skuadra të kategorive të para si në Gjermani ashtu edhe jashtë, por ai vendosi të vazhdojë kontratën edhe për tre vjet. Tani, 20 muaj më vonë Karlsruhe gjendet në fund të tabelës në Bundesligën 1. Kapllani shpreson që më në fund të gjejë golin dhe të dalë nga kjo situatë. Disa nga ëndrrat e tij ende mbahen gjallë, ndonëse roli i tij është zbehur edhe në Përfaqësuesen e Shqipërisë. “Unë jetoj me shpresë”, thotë Kapllani.