E Shtunë, 31 Tetor 2026

Liverpuli shkatërron me poker golash Mançesterin

 

Liverpuli rihap garën për titullin e Premier Ligës, teksa fiton 4-1 ndaj Mançester Junajtid në “Old Traford”. Pas fitores së thellë të marrë me Realin e Madridit (4-0) në Ligën e Kampioneve ditën e martë, formacioni i Rafael Benitez, gjunjëzon “djajve të kuq” në shtëpinë e tyre duke fituar thellë 4-1. Armiku më i madh i kampionëve në këtë sfidë ishte padyshim mbrojtësi i tyre, Nemanja Vidiç, i cili me gabimet e bëra në zonë, lejoi kundërshtarin të barazojë dhe më pas të marrë tri pikë e plota që rifusin të kuqtë në luftën për titull. Ndonëse ndeshja filloi me rritëm të lartë nga vendasit, të cilët në minutën e 22-të kaluan në avantazh, nga pika e bardhë e penalltisë, gjithçka u përmbys në gjysmën tjetër të pjesës së parë. Pesë minuta nga goli i Kristiano Ronaldos, Fernando Torres fitoi një dyluftim me mbrojtësin Nemanja Vidiç dhe ndëshkon portierin Van der Sar. Ishte përsëri “El Ninjo” iniciator i aksionit të fundit të pjesës së parë, kur kapiteni Stiven Xherrard fiton penallti pas ndërhyrjes së ashpër në zonën e rreptësisë të mbrojtësit Evra. Në periodën e dytë Mançesteri Junajtid vuri disa herë nën presion miqtë por më kot. Uejn Runi dhe Karlos Tevez ishin të pafat në këtë ditë, pasi tentativat e tyre për të barazuar nuk rezultuan në asnjë rast të suksesshme. Në minutën e 72-të, Ferguson vendos të përforcojë më shumë sulmin duke hedhur në fushë në vend të Anderson, Park dhe Kerrik, treshen: Berbatov, Gigs dhe Skolls. Por këto zëvendësime nuk do të vlejnë, pasi vetëm pesë minuta më pas, është sërish Vidiç që penalizon të tijtë teksa pengon kapitenin Xherrard disa metra larg portës. Arbitri nxjerr kartonin e kuq dhe skuadra e Fergusonit mbetet me një lojtar më pak. Gjuajtjen e dënimit e merr përsipër brazilianin Fabio Aurelio që shënon një gol të mrekullueshëm. Rezultatin përfundimtar të takimit, e vendosi i sapo futuri në lojë, Andrea Dosena. Ndërkohë, në rezultatet e tjera të javës së 29-të bie në sy rikthimi i Arsenalit tek fitorja në “Emirates” falë dopietave të Arshavinit dhe Ebuesë. Ndërsa Uigan, Everton dhe Fulham marrin tri pikë përballë rivalëve respektivë, Sanderlend, Stok Siti dhe Bolton. Njukasëll edhe Portsmuth dalin me vetëm një pikë nga fushat e Hullit dhe Midëllsborout.

Premier Liga/Java e 29-të

Mançster J.-Liverpul        1-4
Ronaldo 23’(p)/ Torres 28’, Xherrard 44’ (p), Aurelio 76’, Dosena 90’
Arsenal-Blekbërn         4-0
Arshavin 2, 65’, Ebue 87’, 90’
Bolton-Fulham             1-3
Deivis 45’/ Xhonson 42’, Deivis 55’, Kamara 88’
Everton-Stok             3-1
Xho 18’, Leskot 24’, Felaini 90’/Shoukros 52
Hull-Njukasëll             1-1
Xhovani 9’/ Tejlor 38’
Midëlsborou-Portsmuth        1-1
King 90’/Krouç 30’
Sanderlend -Uigan         1-2
Lidbiter 41’/ Uatson 12’, N’Zogbia 45’

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›