E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapoja i “Mesfushori 1” pronar llotosh

 

Trazhgim Sokolaj

Ngarkesa me 4 kile heroinë e bllokuar në hyrje të Elbasanit gjatë aksionit “Mesfushori 1” mbrëmjen e të shtunës, është blerë në Maqedoni për 49 mijë euro.Shuma e konsiderueshme financiare mësohet se është dorëzuar tek trafikantët e drogës në Maqedoni, nga Mikel Dima, njëri nga katër personat e arrestuar gjatë aksionit antidrogë të tri ditëve më parë. Sasia e parave është siguruar nga Mikel Dima përmes disa bizneseve të tij dhe trafikut të mëparshëm të drogës.  Prokuroria tha se 38-vjeçari Dima, banues në Elbasan, ndiqej prej kohësh nga agjentët e policisë si i dyshuar për një veprimtari të dyfishtë, që fillonte me biznesin e lojërave sportive dhe shtrihej më tej deri në trafikimin ndërkombëtar të narkotikëve. Pikënisja e hetimeve ka qenë pikërisht hetimi mbi veprimtarinë e Mikel Dimës, i cili dyshohet se gjatë katër muajve të fundit ka trafikuar edhe dy ngarkesa të tjera me drogë, të cilat nuk është arritur të zbulohen në kohë nga policia me qëllim bllokimin e tyre. Megjithatë, të dhënat për këtë trafik janë siguruar në rrugë operative nga agjentët e policisë, të cilët duke parë implikimin e një grupi të gjerë personash dhe shtrirjen ndërkombëtare të rrjetit, kanë vendosur të referojnë dosjen në Prokurorinë e Krimeve të Rënda në Tiranë. Kjo e fundit ka filluar menjëherë hetimet, duke vendosur në përgjim të gjithë personat e dyshuar. Nga përgjimet telefonike është mësuar se mesditën e të shtunës Mikel Dima ka komunikuar në telefon me të arrestuarin tjetër Thanas Bebi, të cilit i ka pohuar se kishte marrë drogën në dorëzim dhe do të nisej për në Shqipëri, pasi kishte paguar shumën 49 mijë euro tek disa persona në Maqedoni.
Biznes dhe trafik
Hetimet e Prokurorisë ndodhen ende në fazën e parë, megjithatë është arritur të zbulohet se i arrestuari kryesor i aksionit “Mesfushori 1” Mikel Dima, është pronar i të paktën dy pikave të basteve në qytetin e Elbasanit. Ai gjithashtu zotëron edhe një ambient mbi 40 metra katrorë të marrë me qira në ish-ofiçinat e periferisë së Elbasanit. Prokuroria tha se ky ambient ishte kthyer në një punishte, ku vendosej droga pas trafikimit të saj nga Maqedonia dhe më pas ndahej në pesha të ndryshme apo përpunohej me përzierës sipas porosisë dhe për destinacionit të saj. Burimet nga Prokuroria thanë se grupi i të arrestuarve ka disa episode gjatë të cilave ka trafikuar jashtë vendit sasi të heroinës apo kokainës, ndërsa janë gjetur prova edhe për përpunimin e drogës në “laboratorin” e zbuluar në periferi të Elbasanit dhe më pas shpërndarjen e saj për përdoruesit në qytetet kryesore të vendit. Në kuadër të hetimeve për grupin e të arrestuarve mësohet se Prokuroria ka filluar edhe verifikimin e pasurive të personave të arrestuar. “Organeve në Tatim-Taksave, bankave të nivelit të dytë dhe hipotekave, u janë dërguar kërkesa zyrtare me qëllim verifikimin e pasurive dhe pronave të së arrestuarve. Pas listimit të tyre hetuesit do të verifikojnë nëse këto pasuri të vendosura nga të arrestuarit kanë lidhje me trafikun e drogës dhe në rast se provohet një fakt i tillë, llogaritë bankare dhe pronat në fjalë do të sekuestrohen”, thanë burimet nga Prokuroria.     
Grupi kriminal
Sipas Prokurorisë grupi kriminal kishte një hierarki të caktuar ku secili anëtar kishte detyrat e tij. Bexhet Hidri, i arrestuar bashkë me kapon e grupit duke trafikuar 4 kilogramë heroinë të ndarë në dy makina u kapën në hyrje të Elbasanit në rrugën Librazhd-Elbasan. Hidri mësohet se kryente detyrën e korrierit që transportonte ngarkesat e narkotikëve. Dy të arrestuarit e tjerë merreshin me mbledhjen e drogës në punishten e ngritur në ish-ofiçinën e marrë me qira në periferi të qytetit, ku përpunonin drogën dhe e ndanin atë në paketime me sasitë e porositura prej “klientëve” të grupit kriminal. Më pas droga në varësi të porosive që merrte kapoja i grupit Mikel Dima, transportohej drejt qyteteve të ndryshme brenda vendit ose nisej me automjete në drejtim të Greqisë dhe shteteve të tjera fqinje ku shtrihej linja e trafikut.  

Të arrestuarit

Mikel Dima,
38 vjeç
Thanas Bebi,
40 vjeç
Bexhet Hidri,
40 vjeç
Gjergji Gjika,
29 vjeç
Sekuestruar
4 kg lëndë heroinë
1 kg lëndë kokainë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›