E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Në 2008 i dhamë shtetit 1.6 mln euro”

 

TIRANE - Dosjet e Agjencisë së Trajtimit të Kredive, gjobat penale dhe dëmshpërblimet për proceset e humbura i kanë sjellë arkës së shtetit 1.6 milionë euro nga Përmbarimi i kryeqytetit. Shifrën e pohon kreu i këtij institucioni, Arjan Bylykbashi, sipas të cilit, në janar të vitit 2008 përmbaruesit morën në dorë rreth 450 dosje të ATK-së, shumica e tyre të mbartura nga vitet e mëparshme, nga të cilat ekzekutuan rreth 70%, ndërsa pjesa tjetër prej rreth 140 çështjesh, ndodhen brenda afateve ligjore dhe po procedohet në vazhdim me ekzekutimin përfundimtar të tyre. Sipas kryepërmbaruesit të Tiranës, vartësit e tij gjatë vitit që lamë pas kanë ekzekutuar në masën 100% dosjet e gjobave penale, dhe në rastet kur qytetarët kanë refuzuar të paguajnë kanë depozituar kallëzime në prokurori. Po kështu, Bylykbashi pohoi se Përmbarimi i kryeqytetit ka ekzekutuar thuajse të gjitha çështjet në të cilat shteti është pala fituese. Po kështu, Bylykbashi pohoi dje se shuma, të cilën shteti e ka paguar për llogari të qytetarëve që kanë fituar proceset gjyqësore llogaritet në rreth 3 miliardë lekë të vjetra. Këto janë dëmshpërblimet e ndryshme pas marrëdhënieve të punës, kompensimet për burgimet e padrejta si dhe shpërblimi i dëmeve të shkaktuara nga institucione të ndryshme. Në fund Bylykbashi pohoi se përmbaruesit u kanë dhënë zgjidhje ligjore të gjitha çështjeve, që kanë pasur në dorë gjatë vitit 2008. fa.ma

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›