E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pas Poliçanit, alarm në Grizë për depot e municioneve

 

FIER - Vazhdon paniku për qindra banorët e lagjes Grizë në zonën e Patosit, të cilët jetojnë me frikën e plasjes së municioneve. Sipas banorëve, këto municione janë të depozituara në ish- magazinën e pularisë, në periferi të lagjes së tyre. Banorët pohojnë se municionet iu kujtojnë atyre ngjarjet e dhimbshme të Gërdecit dhe Poliçanit. "Këto municione janë këtu qysh në vitin 1997. Nisën t'i hiqnin pas tragjedisë së Gërdecit, por dimë që aty ka akoma materiale të rrezikshme. Ne jetojmë me frikë të madhe të plasjes nga çasti në çast të tyre. Depo e municionit përmban, tritol, predha dhe gjithçka tjetër të rrezikshme. Kërkojmë që të hiqen sa më shpejt se kudo kemi dëgjuar që po vriten njerëz për shkak të tyre", shprehet Ndriçim Griza, një banor i kësaj zone. Ndërkohë kryetari i lagjes, Fatmir Saliaj shprehet se nuk ka asnjë informacion zyrtar për largimin e mbetjeve të municioneve, ndërsa pohon se prej një muaji e gjysmë është bllokuar dhe aksioni i tërheqjes së municioneve nga depot e armatimeve të ngelura atje pas vitit 1997. "Që të jemi të qetë, ne duam një informacion për këto municione. Banorët kanë të drejtë të flenë të qetë sepse janë familjarë. Informacion deri më tani nuk kemi marrë dhe banorët janë të shqetësuar". Kryetari i Bashkisë Patos, Bardhi Meli është shprehur se ka informacion vetëm për largimin e këtyre municioneve, ndërsa pohon se nuk ka një njoftim zyrtar për përfundimin e këtij aksioni. Nga ana e tij, prefekti i qarkut, Shahin Bejdaj, pohoi se në Patos nuk ekziston më mbetje municionesh. Por, banorët kanë mësuar nga burime brenda repartit se ka ende mbetje municionesh të paspecifikuar në llojin dhe sasinë e tyre. Ata presin konfirmim nga përfaqësues të ushtrisë se nuk ka më rrezik për familjet e zonës, ndonëse prej 1 muaji e gjysmë në këtë qendër nuk lëvizin më automjete ushtarake, të mbushura me municion që realizojnë plasjen e tyre në pyjet e fshatit Seman në Fier. Në ish-magazinat e pularisë Grizë, janë vendosur lloje të ndryshme municionesh të grumbulluara nga ish-repartet e shumta ushtarake në rajonin e jugut. Pas tragjedisë së Gërdecit u rritën edhe masat e sigurisë. Nga muaji shtator i vitit të kaluar filloi edhe tërheqja e municioneve. Mjetet me ngarkesë të tillë ndeshën në këmbënguljen e banorëve për të mos kaluar mes lagjes nga frika e incidenteve dhe tragjedive të mundshme.                          m.r

Zbulohet arsenal municionesh

BERAT - Zbulohet një arsenal municionesh në një fshat të Beratit. Burime të policisë së këtij qarku bënë të ditur dje, se rreth mesditës, në breg të lumit Lapardhicë, në fshatin Laparsha u gjetën 20 predha te kalibrit të artilerisë së rëndë antitank. Nga kërkimet e mëtejshme në këtë zonë u zbuluan dhe 50 arka me 760 copë fishekë secila. Policia u lajmërua për praninë e municioneve nga një telefonues anonim, sipas të cilit kishte vënë re materialet e rrezikshme buzë lumit. Dyshohet se predhat antitank dhe fishekët të tipit automatik model 56 mund të jenë pjesë e depove të grabitura gjatë vitit 1997 dhe ditët e fundit pronari i tyre i ka braktisur. Për poseduesin e tyre kanë nisur hetimet nga policia e Beratit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›