Dhunë gazetarit të “Panorama Sport”, dosja e Agustin Kolës në prokurori
TIRANE- Një ditë pas denoncimit të gazetarit të “Panorama Sport”, Adriatik Balla për dhunën e ushtruar ndaj tij nga trajneri i Tiranës, Agustin Kola, policia ka referuar kallëzimin në prokurori. Gjatë ditës së djeshme materialet me kallëzimin e gazetarit Balla, kanë përfunduar në zyrën e regjistrit të Prokurorisë së Tiranës. Agustin Kola me detyrë trajner i ekipit të futbollit të Tiranës, u denoncua nga gazetari i Balla pas një konflikti mes tyre. Përplasja ndodhi në kohën kur Balla po komunikonte me një prej futbollistëve të Tiranës mbi probleme të ndryshme në ekipin kryeqytetas. Debati mes palëve precipitoi në një masë të tillë, ku Kola goditi me grusht në fytyrë gazetarin Balla. Sipas vetë Ballës, ngjarja ka ndodhur rreth orës 16:00, në kohën që Balla po komunikonte me Andi Lilën. Kola i ka kërkuar Ballës, që të largohej nga kompleksi sportiv “Skënder Halili” i Tiranës, kërkesë që është refuzuar nga Balla. Kjo sipas tij solli edhe reagimin e dhunshëm të trajnerit të Tiranës, ish-futbollist legjendar i kësaj skuadre dhe i ekipit tonë Kombëtar të Futbollit. Gazetari ka mbetur preh e dhunës së teknikut të futbollit, ndërsa nuk ka toleruar një veprim të tillë. Sipas burimeve të policisë ish-futbollisti tashmë trajner i Tiranës, duhet të përballet me akuzën e goditjes dhe fyerjes për shkak të detyrës dhe në krye të detyrës. Tashmë Prokuroria e Tiranës pritet të thërrasë palët, për të kryer hetimet përkatëse mbi ngjarjen e rëndë të ndodhur të shtunën në ambientet e klubit të futbollit të Tiranës.