E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkëndija elektrike u dogji shtëpitë, OSSH u çon faturat

 

BURREL / HASAN PASHA

Një faturë prej 28 mijë lekësh për dhjetorin e vitit të shkuar u është dërguar nga OSSH-ja e Burrelit, 8 familjeve të mbetura pa shtëpi. Atyre iu dogjën, pikërisht nga një defekt elektrik, shtëpitë më 18 dhjetor, duke lënë pa strehë mbi kokë dhjetëra familjarë. Ky fakt ka krijuar indinjatë dhe revoltë te banorët e strehuar në ish-zyrat e tatimeve. Mit'hat Midha e Veli Bunga thanë se shprehnin dhe mendimin e familjeve Murra, Kaca, Hoxha e Fiqorri teksa kundërshtonin faturat e fryra të OSSH-së. "KESH na dogji për të dytën herë. E kishim njoftuar me kohë KESH-in se rreziku i rënies në zjarrit ishte evident, ndërkohë pas rënies së tij specialistët heshtën. U kishim treguar edhe lidhjet që do të shkaktonin tragjedinë", thanë familjarët e mbetur pa çati. "Disa ditë më parë na vijnë fatura e harxhimit të energjisë elektrike, madje ato mbajnë datën 20 dhjetor, pra dy ditë pas djegies totale të shtëpive tona. Ne nuk kemi para të hamë bukë dhe KESH tallet me ne. Ku shpenzuam ne kaq shumë energji elektrike? Ç'janë këto fatura afrofe?", thanë familjarët e strehuar në ish-zyrat e shtetit, në këto ditë të ftohta të janarit. "Ne i kërkojmë KESH-it të tërheqë faturat afrofe sepse ato janë totalisht false. Neve na gjeti KESH të dërgojë fatura të tilla?!", shprehen të habitur familjarët. Ata pohojnë se dhe sikur të duan të paguajnë nuk kanë asnjë mundësi, pasi çdo pasuri e tyre u shkrumbua kur zjarri i papritur përfshiu të gjitha banesat ku jetonin. "Fondin e dhënë nga bashkia për bukë, ushqime e larës, ne duhet t'ia dërgojmë KESH-it", thonë të shqetësuar ata. Banorët e pastrehë kanë pritur nga KESH të sqarojë zyrtarisht pozicionin e tij në lidhje me shkaqet e djegies së shtëpive dhe jo ndëshkimin e radhës për to. Të gjendur përballë një situate të tillë, banorët thonë se sot do të trokasin në zyrat e OSSH-së dhe do të kërkojnë anulimin e faturave afrofe. Si pasojë e ngjarjes së rëndë që u ndodhi atyre, tashmë banorët po strehohen në një godinë jo fort të përshtatshme për familjarë, në kushte tepër të rënda. Një prej kryefamiljarëve përfundoi në spital ditë më parë, pasi pësoi ftohje të rëndë nga mungesa e ngrohjes në godinën e ish-tatim taksave. I vetmi lajm i mirë dje për ta, ishte shpërndarja e librave shkollore dhe materiale të nevojshme nga ana e librarisë "Sinani" për fëmijët e shkollave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›