Kapriçiot e tifozëve, 155 mijë euroshe
Fatura e gjobave për eliminatoret Euro 2012
Shqipëri – Bosnj렠 40.000 Euro
Shqipëri – Bjellorusi 40.000 Euro
Bosnjë – Shqipëri 20.000 Euro
Shqipëri – Franc렠 50.000 Euro
Luksemburg – Shqipëri 5.000 Euro
Një ndeshje, si ajo miqësore ndaj Azerbajxhanit, është vërtet e hidhur dhe na ka lënë shije të keqe jo vetëm për lojën, për situatën e skuadrës, por edhe për mungesën e tifozerisë, e cila gjithmonë konsiderohet lojtari i 12-të. Për një vend si Shqipëria, kaq i vogël dhe me shumë pak mundësi për të qenë gjithmonë në lartësinë e duhur, tifozët janë shumë të rëndësishëm. Ata munguan ndaj Azerbajxhanit, por kuqezinjtë tanë nuk humbëm, apo luajtën keq, prej mungesës së tyre.
Tani eliminatoret e Euro 2012-s kanë përfunduar dhe rezultati është i njëjtë me çdo eliminatore të mëparshme, Shqipëria renditet në vendin e parafundit, me një trajner që largohet Përgjegjësia për këtë mbetet jetime dhe e shpërndarë. Si përherë, në të shumtën e rasteve, ajo shpesh i faturohet trajnerit që largohet, pasi ai nuk është më.
Sigurisht, një punë e bërë jo mirë, me projekte afatshkurtra, sjell fryte të tilla. Ne, si popull emocional dhe tifoz për vendin e tij, gjithmonë i ngremë në qiell ata djem pas ndeshjeve të bukura e rezultateve të mira, si barazimi me Rumaninë 1-1 në transfertë, apo fitorja me Bjellorusinë 1-0 në Qemal Stafa.
Por mjafton një barazim i paparashikuar, apo goditje si ajo e Luksemburgut, për të harruar çdo gjë të mirë të mëparshme. Të gjitha harrohen Harrohet se ajo ishte vetëm një ndeshje, vetëm një 90-minutësh, ku na ndihmoi edhe fati, apo se lojtarët tanë ishin në një ditë të mirë, por që për hir të vërtetës nuk luajnë gjithmonë ashtu.
Sukseset na bëjnë të harrojmë që jemi Shqipëria, e 71-ta në renditjen botërore të FIFA-s, ndërsa humbjet, që janë normale në një garë sportive, na çojnë në ekstremin tjetër, në urrejtje, fyerje dhe linçim të futbollistëve. Këto sjellje nuk mund dhe nuk duhet të justifikohen me portretin, kulturën dhe etikën e tifozit të futbollit.
Nuk ma do mendja që ky të jetë testamenti a kodi i Tifozëve Kuq e Zi, që është grupimi më i madh i tifozëve të kuqezinjve të kombëtares sonë, kontributi i të cilëve është si oksigjen për futbollistët tanë. As i grupimeve të tjerë, si Tirona Fanatic, Plisat, Ballistët, Dardanët, pa arritur ti përmendim të gjithë grupimet që bëjnë një të tërë dhe skuqin Qemal Stafën sa herë që luan kombëtarja e Shqipërisë.
Në miqësoren me Azerbajxhanin tifo-grupet e abandonuan ndeshjen në shenjë proteste. Mungesa e tyre u ndje në mjedisin e ndeshjes. Nuk duhet të vini në stadium vetëm për të parë Kristiano Ronaldon, – tha Salihi me të drejtë pas ndeshjes, duke mos harruar përgjegjësitë e tij personale, por edhe të skuadrës për atë humbje. Ishte një apel i sulmuesit kuqezi për të gjithë tifozët e kombëtares.
Por njëherësh, ky apel ka nevojë edhe për një rishikim të sjelljes, etikës, kulturës dhe mesazheve, që përcjellin në stadium këto grupime. Dikush në sajtin on-line të gazetës Sporti shqiptar shkruante: Më mirë që nuk erdhën, humbëm, por të paktën fituam 50.000 euro se nuk u gjobitëm. Në këtë të fundit kishte të drejtë.
Protesta dhe sjelljet e fundit ndaj Rumanisë mund ti kushtojnë shumë kombëtares sonë, deri në pezullimin e fushës sonë. UEFA nuk i fal dhe i toleron këto sjellje, fair-play është normë që kërkohet në fushë, por edhe në shkallët e stadiumit. Koha e paralajmërimeve me gjoba ndoshta ka kaluar për Shqipërinë.
Protestat dhe kapriçiot e disa tifozëve të paformuar, që kanë hedhur sende në fushë apo tymuese, i kanë kushtuar deri tani arkës së FSHF-së 155 mijë euro, pa ndëshkimin që pritet këto ditë për ndeshjen e fundit me Rumaninë. Një shifër kjo afërsisht sa paga e Josip Kuzhes në sezonin e shkuar, më shumë se ajo e Brigelit dhe e Bariçit.
155 mijë euro gjoba vetëm për eliminatoret e Euro 2012, një luks shqiptar që të paguhet vetëm për inat, gëzim apo kapriçio të disa tifozëve! Nuk është normale, qoftë edhe për një vend me standarde shumë më të larta se Shqipëria. Ndeshjet e futbollit janë argëtim, janë shfaqje dhe nuk bëhet pa spektatorë. Por edhe spektatorët, në rastin tonë tifozët, duhet ta respektojnë atë, aq më shumë kur bëhet fjalë për kombëtaren, simbolin më të bukur të Shqipërisë.
