Sadiku: Edhe me gjysmë goli, vetëm të fitojë Shqipëria
Sulmuesi Armando Sadiku kërkon gol dhe fitore sot ndaj luzitanëve në Niko Dovana
Golashënuesi më i mirë i kombëtares U 21 të Shqipërisë, Armando Sadiku, me 4 golat e tij të shënuar, ka dhënë një kontribut të veçantë për ngjyrat kuqezi. Sidomos në ndeshjen ndaj Moldavisë në stadiumin Skënderbeu të Korçës, dopieta e tij u dha tripikëshin e vetëm kuqezinjve të vegjël në shifrat 4-3. Sulmuesi elbasanas i Lokarnos, skuadër e cila barazoi dje ndaj Uinterthurit 00, është përqendruar në sfidën e radhës përballë Portugalisë.
Ndeshja e fundit ndaj Rusisë ka qenë fatale për Shqipërinë e drejtuar nga Skënder Gega, pasi vetëm pas një 11-metërshi kemi humbur shansin për të marrë një pikë të vetme. Por Sadiku beson tek grupi aktual i Shpresave, ai shikon përpara dhe mendon se me punën e mirë të trajnerit Gega gjërat do të ecin në rrugën e duhur. Pikërisht sot përballë Portugalisë në orën 19:00 në Niko Dovana të Durrrësit, kombëtarja Shpresa do të përballet me bashkëmoshatarët portugezë.
Armando, keni humbur një ndeshje tepër dramatike ndaj Rusisë dhe tashmë jeni përballë një sfide të fortë ndaj Portugalisë. Si paraqitet atmosfera në kampin tuaj?
Normalisht jemi pak të tronditur dhe të demoralizuar për një humbje që mbase se meritonim. Dhamë gjithçka në fushën e blertë, por u ndëshkuam nga një 11-metërsh që, na hodhi poshtë të gjithë mundin. Gjithsesi, në futboll mund të ndodhë edhe kështu. Duhet të shikojmë përpara që të arrijmë rezultate pozitive. Trajneri Skënder Gega ka futur një frymë pozitive në grupin tonë.
Ai është shumë kërkues. Jam i bindur se tashmë stafi ynë teknik ka marrë masat e duhura që pësimi ndaj Rusisë të na bëhet një mësim i mirë për ndeshjen me Portugalinë. Kam bindjen se nuk do të dalim të humbur nga kjo përballje.
Çfarë duhet të ndryshoni ndaj luzitanëve?
Trajneri na ka bërë një analizë të detajuar me pamjet filmike dhe, nga ajo që u pa, doli që ishim një skuadër shumë difensive. Reparti sulmues ka qenë i vetëm dhe kjo u pa në disa replay të DVD-së. Pikërisht në sulmin tonë do të jetë edhe ndryshimi në këtë përballje, mendoj se nga ajo që kam parë në dy ditë stërvitje së fundmi, mund të luajmë me dy sulmues.
Duket se e keni të vështirë të shënoni vetëm një gol, sepse në dy sfidat me kombëtaren keni sigluar nga një dopietë, duke qenë dhe golashënuesi më i mirë i Shpresave këtë edicion, me 4 gola?
Këto janë shifra individuale dhe jam i lumtur për këtë arritje. Por duke lënë veç ato, më tepër më pëlqen ecuria e skuadrës. Do të isha i lumtur të shënoja edhe një gjysmë goli, vetëm ekipi të dilte me pikë nga fusha e blertë. Personalisht premtoj gjithnjë maksimumin me fanellën kuqezi.
Duke qenë lojtarë të rinj në moshë, sa i rëndësishëm është suporti i publikut në Niko Dovana?
Mendoj se ardhja e tyre në stadium është e lidhur me ecurinë tonë. Por kam bindjen se në të ardhmen, duke ecur me hapa pozitive, edhe tifozët në shkallët e stadiumit sdo të mungojnë.
Janari ju gjen larg Lokarnos?
Them që është më mirë tia lëmë kohës gjithçka. Gjithsesi, po ju them se ofertat nuk mungojnë. Unë do ti shqyrtojë të gjitha së bashku me menaxherin tim, Sokol Haxhia, në mënyrë që të mos gabojmë në zgjedhjen e ekipit të ri.
Bekim Bakaj, nga minuta e parë me portugezët
Ndryshe nga ndeshja e fundit ndaj Rusisë, ku për arsye teknike sulmuesi i Tiranës, Bekim Bala, nuk është aktivizuar, tashmë ai do të jetë në fushën e blertë që nga minuta e parë, sipas të gjitha gjasave. Trajneri Skënder Gega dhe stafi i tij kanë analizuar ndeshjen ndaj Rusisë dhe është menduar që përfaqësuesja Shpresa të luajë me dy sulmues të deklaruar, që pritet të jenë Sadiku-Bala.
Arbitron një sllovak në Niko Dovana
Ndeshja e sotme midis dy kombëtareve U 21 të Shqipërisë dhe Portugalisë do të zhvillohet në orën 19:00, në stadiumin e qytetit të Durrësit, Niko Dovana. Kjo sfidë do të arbitrohet nga arbitri kryesor Ivan Kruliak (Sllovaki). Në këtë takim pritet një ndeshje e mirë e kuqezinjve të vegjël, pasi takimi i fundit, edhe pse është humbur minimalisht 1-0, ka dhënë shkëndija pozitive për të bësuarit e Skënder Gegës.
Nr./Shtete Fit. Brz. Hmb Pikë
1. Rusia 4 0 0 12
2. Polonia 2 1 1 7
3. Portugalia 2 1 1 7
4. Shqipëria 1 0 3 3
5. Moldavia 0 0 4 0
Ndeshjet e zhvilluara
Shqipëri Poloni 0-3
Shqipëri Moldavi 4-3
Poloni Shqipëri 4-3
Shqipëri Rusi 0-1
Sot, ora 19:00 Shqipëri Portugali
Ndeshjet e ardhshme
06.06.2012 Portugali Shqipëri
12.06.2012 Rusi Shqipëri
06.09.2012 Moldavi – Shqipëri
