Maqedonia me mungesa, Shqipëria kërkon të përfitojë
Përfaqësuesja e Shqipërisë kërkon fitore. Maqedonasit pa Pandev & CO në Prilep
Kombëtarja e Shqipërisë është nisur dje rreth mesditës nga Durrësi në drejtim të Maqedonisë, pasi ka përfunduar seancën e radhës stërvitore. Humbja ndaj Azerbajxhanit ka nxitur disi ambientin kuqezi, edhe pse në sfida miqësore, për të kërkuar një rezultat pozitiv. Presioni i opinionit të gjerë sportiv në Shqipëri, i tifozëve, si edhe i krerëve të FSHF-së do të ndikojnë pa dyshim në një performancë pozitive të kuqezinjve nën drejtimin e trajnerit Xhemal Mustedanagiç.
Në krahun tjetër, vendasit maqedonas paraqiten me probleme në organikën e tyre. Emrat më të goditur të kombëtares së Maqedonisë, e cila drejtohet nga trajneri i mirënjohur që më parë ka drejtuar edhe Real Madridin, pra Xhon Toshak, do të mungojnë. Si pasojë e dëmtimeve, Goran Pandev e Nikolce Neveski janë lejuar të largohen pas vizitave mjekësore të kryera.
Ata kanë qenë të grumbulluar, janë ankuar për dëmtimet e tyre, por trajneri Toshak nuk ka dashur tu besojë futbollistëve, por ka urdhëruar kontrollet mjekësore. Më pas ata janë lejuar të largohen nga grumbullimi me kombëtaren për ndeshjen ndaj Shqipërisë. Një tjetër mungesë e rëndësishme do të jetë edhe ajo e Goran Popovit. Këta lojtarë tashmë janë drejtuar drejt klubeve në të cilat aktivizohen për të filluar sa më shpejt rekuperimin e tyre.
Ndërkohë që edhe Ivan Trickovski mbetet në dyshim për aktivizimin ndaj Shqipërisë. Ai është stërvitur i diferencuar dhe i është nënshtruar një programi të veçantë nën drejtimin e stafit mjekësor. Por çështja Pandev është diskutuar gjatë në radhët e maqedonasve, sepse futbollisti ditën e shtunë është aktivizuar në një miqësore ndaj Seviljes, që Napoli e ka fituar 4-0 dhe ka shënuar 2 gola.
Ky fakt ka irrituar opinionin maqedonas, i cili është shprehur se një kapiten si Pandev duhet të jetë shembull për të gjithë. Ndërkohë që së fundmi është bashkuar edhe Agim Ibrahimi me përfaqësuesen e Maqedonisë, i cili është aktivizuar në kampionat slloven të futbollit me skuadrën e Mariborit, e cila është sfiduar me Rudarin.
Në kampin kuqezi nuk paraqiten probleme të mëdha, duke përjashtuar mbrojtësin Kristi Vangjeli, i cili pas një dëmtimi që po kalon, nuk është në gjendje të aktivizohet edhe përballë Maqedonisë dhe është lënë i lirë nga ana e stafit së Shqipërisë. Vangjeli ka munguar edhe përballë Azerbajxhanit.
Ai tashmë është drejtuar për në Ukrainë, tek skuadra e tij e re Chernomorets Odessa, dhe pritet të nisë rikuperimin e plotë, në mënyrë që të jetë i gatshëm për ndeshjet e kampionatit. Shqipëria dhe Maqedonia do të përballen në Prilep midis tyre. Përballja e fundit midis dy skuadrave respektive është regjistruar pak muaj më parë në Korçë dhe është mbyllur në shifra të bardha, pa gola, 0-0.
