E Shtunë, 31 Tetor 2026

Permbytjet ne Shkoder, deri më 9 janar, dëmi 66 mln euro

SHKODER- Humbjet e shkaktuara deri tani nga përmbytja në veri të vendit duket se kanë një faturë shumë më të lartë se ajo që parashikohej. Ekspertë të administratës shtetërore kanë llogaritur deri tani se dëmet në sektorë të ndryshëm të jetës së vendit kanë arritur në total në 66.1 milionë euro, ose 9.1 miliardë lekë të reja. Kjo shifër është shumë më e lartë se i gjithë fondi i parashikuar në Buxhetin e Shtetit për vitin në vazhdim (5.2 miliardë lekë) për Rezervën e qeverisë dhe fondin e kontingjencës. Sipas ligjit për Buxhetin e Shtetit të vitit 2010, të ardhurat buxhetore janë afro 278.3 miliardë lekë të reja. Në këtë mënyrë, dëmi i konstatuar përafërsisht është i barabartë me 3.3 për qind të të gjitha të ardhurave buxhetore të një viti të tërë.Vlerësimet e ekspertëve janë siguruar nga “Gazeta Shqiptare”, por nuk përbëjnë një dokument publik. Në llogaritjen e dëmit është marrë parasysh vlera e përafërt e humbjeve të familjeve të fermerëve, në prona të patundshme (shtëpi), bagëti, të mbjella, drufrutorë, orendi shtëpiake e pajisje elektroshtëpiake, të mbjella etj. Po kështu, është llogaritur edhe vlera e humbur e energjisë elektrike që del nga sasia e ujit të derdhur nga HEC-et e vendit.Në këtë analizë nuk mund të përfshihen ende humbjet që u janë shkaktuar bizneseve të zonës, infrastrukturës nacionale e vendore, si dhe nuk jepet ende një pasqyrë e kostos së operacionit të shpëtimit, që po kryhet nga repartet e përballimit të emergjencës të shtetit shqiptar.Për 10.400 ha tokë të përmbytur, që raportohet nga shtabi i emergjencës, kjo shifër duhet të jetë e barabartë me 15.1 milionë euro.Llogaritet në një nivel më të lartë dëmi ndaj pasurive të patundshme dhe bazës ushqimore të blegtorisë, theksojnë ekspertët që vlerësojnë humbjet për një familje rurale në masën mesatare 14 milionë lekë të vjetra, ose 1.4 milionë lekë të reja. Në 2.499 shtëpi të dëmtuara, kjo shifër duhej të jetë rreth 25.3 milionë euro. Në mbrëmjen e së hënës raportohej se lumi Buna vazhdonte të jetë i fryrë ndërsa niveli i ujit në lagjet periferike të qytetit verior arrinte në 1 metër e 70 cm. Buna ka vërshtuar në në hyrje të Shkodrës, duke hyrë deri në lagjen Xhabije. Edhe në anën tjetër të urës, që lidh Shkodrën me Shirokën e Zogajn vërshimi i ujit është pasuar me bllokimin e qarkullimit të automjeteve të vogla drejt këtyre dy fshatrave turistike. Vazhdon të jetë e rënduar situate në zonën e nënShkodrës. Uji ka izoluar tërësisht Komunën e Velipojës. Situata është alarmante dhe në komunën e Dajçit dhe atë të Bushatit. Burime zyrtare nga Drejtoria e Emergjencave Civile pranë Ministrisë së Brendshme pohojnë se, janë zhytur nën ujë 10 mijë e 400 hektarë tokë dhe 2500 shtëpi banimi, ndërsa janë evakuuar 4800 persona.Në operacionin më të madh humanitar ët bërë ndonjëherë janë angazhuar 800 forca ushtrie, 611 punonjës policie, 110 personel shëndetësor si dhe 115 forca nga Garda e Republikës. Në ndihmë të të përmbyturve kanë ardhur ndihma nga Italia, Mali i Zi, Austria, Greqia, Kosova, Maqedonia, Franca etj.(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›