E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapshticë, 500 gramë heroinë mban peng disa orë emigrantët

KAPSHTICE/ KAKAVIJE Një sasi prej 500 gramë heroinë e sekuestruar në doganën e Kapshticës, në anën greke, ka mbajtur "peng" për disa orë emigrantët dhe pasagjerët e tjerë që do të kalonin në tokën helene dhe anasjelltas. 

Burime nga policia bënë të ditur se, kolegët grekë kishin gjetur në fenerin e një mjeti të braktisur 500 gram heroinë të pastër. Ndërsa policia greke pohoi se, kjo sasi droge u dyshua se ishte transportuar nga ndonjë udhëtar i autobusëve Shqipëri-Greqi. Ata dyshuan se poseduesi i saj, kur ka parë se po kryhej kontroll i imët tek bagazhet e udhëtarëve, për t'i shpëtuar arrestimit e ka fshehur drogën tek feneri i autoveturës, që kishte muaj që qëndronte e parkuar në këtë mjedis. Pala greke ende nuk ka identifikuar poseduesin e saj. Nga kontrolli i imtësishëm që u është bërë të gjithë personave që kalonin në anën e tyre, janë shkaktuar shumë vonesa e deri në amulli. Gjetja e heroinës së pastër shërbeu që në doganën greke të kryhen kontrolle të imta të gjithë mjeteve dhe udhëtarëve, që kalonin nga Shqipëria në Greqi por edhe anasjelltas. Edhe pse punohej me tre sportele, që nga ora 17.30 e ditës së premte deri në orën 22.00, u krijuan radhë të stërzgjatura. Rreth 400 mjete të vogla, 6 autobusë dhe disa mjete të mëdha të ngarkuara me mallra importi pritën për gati pesë orë derisa pala greke të verifikonte sasinë e mallit të gjetur. Ata verifikuan bagazhet e çdo pasagjeri që do të futej në tokën greke. Por kontrollet e imtësishme bllokuan edhe emigrantët që vinin për në Shqipëri.
Emigrantët pohuan se, u është dashur të presin në radhë deri edhe 5-6 orë për të marrë vulat doganore greke. Ndërsa në tokën tonë, ata nuk kanë pasur vonesë për përpunimin e të dhënave. Ndërkohë, radhë të gjata janë konstatuar dje edhe në pjesën greke të Kakavijës. Shkak është bërë një aksident i rëndë i ndodhur në pjesën greke, rreth 3 kilometër afër kufirit me Shqipërinë. Krijimi i radhëve të gjata në anën greke të Kakavijës, ka pasur pikërisht këtë alibi e cila ngadalësoi punën në sportelet e kontrollit të pasaportave tek policët grekë. Radha është minimizuar në orën 05:00 e mëngjesit të së shtunës kur policia rrugore greke menaxhoi lëvizjet. Si rrallë ndonjëherë grekët kishin instaluar katër sportele në dalje të territorit të tyre dhe po kaq në hyrje, duke i'u përgjigjur në këtë mënyrë detyrimeve që parashikon nënshkrimi i aktmarrëveshjes mes policive kufitare të të dy vendeve për menaxhimin e situatave gjatë sezoneve të fluksit të lëvizjeve në të dy anët e kufirit. Pas mesnate e deri në orën 15:00 e ditës së shtunë, përmes Kakavijës, kanë kaluar rreth 6 mijë emigrantë, si dhe 1 670 automjete. Ndërsa në Portin e Durrësit dje mbërritën pesë tragete nga Italia, me 1 200 pasagjerë dhe 600 automjete. Autoritetet portuale pohuan se, këto ditë ka pasur fluks, por janë shtuar sportelet duke evituar radhët.                              j.gj.p.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›