E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bogdani i bën gol ekipit të Briatores

Erjon Bogdani ka ndëshkuar dje skuadrën e Flavio Briatores teksa i ka shënuar gol në minutën e 30-të. 

Jetmir Halilaj

Kievo fitoi ndeshjen kundër anglezëve të QPR-së me rezultatin 2-1, falë golit të shënuar nga bomberi kuqezi. Klubi anglez në pronësi të menaxherit të përgjithshëm të skuderisë “Renault” në Formula 1, Flavio Briatore u interesua në janar për shërbimet e shtatlartit shqiptar. Bogdani zhbllokoi rezultatin në minutën e 30-të, megjithatë kjo nuk ka mjaftuar që ai të luante gjatë gjithë takimit, sepse në fillim të pjesës së dytë është zëvendësuar. Ndërkohë media italiane bën të ditur se dje ka pasur një takim mes drejtorit sportiv të Kievos Xhovani Sartori dhe përfaqësuesve të klubit Ipsuiç, që interesohet për sulmuesin e Kombëtares shqiptare.
I papërmbajtshmi Hyka
Mesfushori i talentuar i përfaqësueses shqiptare, Jahmir Hyka ka shkëlqyer të premten në ndeshjen miqësore që skuadra e tij Mainc fitoi me rezultatin 4-0 kundër skuadrës së Bahlingerit, e cila militon në Oberligë. Mesfushori shqiptar ka dhënë asistin e golit të tretë të shënuar nga Amri në minutën e 83-të, ndërsa në minutën e 87-të ka qenë Hyka ai që ka vulosur pokerin e Maincit duke realizuar një eurogol, nga një distancë prej 25 metrash. “Hyka ishte fantastik në këtë ndeshje. Driblimet dhe asistent e tij të jepnin përshtypjen e një futbollisti që luan në Bundesligë prej tre ose katër sezonesh”, shkruhej në komentin uebsajtit zyrtar të Mainc 05.
Kapllani & Salihi
Edmond Kapllani ka luajtur 45 minutat e dyta të ndeshjes që skuadra e tij barazoi 1-1 kundër Soshosë. Sulmuesi i përfaqësueses shqiptare është aktivizuar në vend të Kendeit, autorit të golit të Kalrsuhes në këtë takim. Kapllani është paraqitur mjaft mirë në këtë takim dhe ka pasur raste të mira për të shënuar. Ndërkohë, Hamdi Salihi, sulmuesi i përfaqësues që aktivizohet te austriakët e Riedit konsiderohet si titullar i pazëevdëndësueshëm nga trajneri i ri Paul Gludovatz. “Salihi është lojtari ynë kryesor në repartin e sulmit dhe kundër SV Pashingut do të jetë titullar nesër (sot)”, ka thënë tekniku Gludovatz. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›