E Diel, 1 Nëntor 2026

ranga gruas, vrau burrin me armën e zhdukur në 1997

Ekstradohet në Tiranë nga burgu italian i Milanos, Lena Gjoni, gruaja e akuzuar për vrasjen e bashkëshortit të saj në vitin 1997. 

Dashamir Biçaku

 E kërkuara ishte strehuar prej vitesh tek disa të afërm të saj, të cilët nuk kishin dijeni se ajo kishte vrarë të shoqin. Oficerët e Interpolit kanë dorëzuar dje në Rinas tek policia e burgjeve 51-vjeçaren e arrestuar në Itali, pas shpalljes në kërkim ndërkombëtar për vrasjen e Marash Gjonit. E kërkuara do të qëndrojë në qeli derisa dosja penale ndaj saj t'i nënshtrohet gjykimit. Lena Gjoni, 51 vjeçe nga fshati Shënkoll i Lezhës, u arrestua katër muaj më parë në Itali. Ajo është shpallur në kërkim prej një viti nga policia e Lezhës, pasi ndaj saj është dokumentuar krimi i vrasjes së Marash Gjonit, bashkëshorti i të akuzuarës. Hetimi për këtë krim misterioz është rihapur nga specialistët policisë, duke qenë se Lena Gjoni, bashkëshortja e viktimës ishte personi i fundit, që kishte kontaktuar me Marash Gjonin para vrasjes së tij me armë zjarri në bregun e lumit Mat. Që në fillim gruaja e viktimës ishte person i dyshuar për vrasjen. Sipas njoftimit zyrtar të policisë ekzekutimi i Marash Gjonit është kryer me paramendim nga gruaja e tij, e cila ka goditur viktimën me armë zjarri për shkak të konflikteve në familje. Ngjarja ka ndodhur më 11 qershor 1996, në një kohë kur marrëdhëniet mes bashkëshortëve, sipas policisë, nuk kanë qenë të mira.
Ekzekutimi
Lena Gjoni dyshohet se ka zbritur buzë lumit Mat, që ndodhej fare pranë shtëpive të fshatit Shënkoll, për të larë rroba të familjes. Aty ka mbërritur edhe bashkëshorti i saj, Marash Gjoni. Sipas hetimeve, gruaja kishte marrë me vete një armë Kallashnikov, të cilën e kishte fshehur mes rrobave që do të lante. Bashkëshortët kanë nisur të debatojnë për shkaqe familjare mes tyre. Komunikimi është ashpërsuar dhe sipas policisë, në këtë kohë, gruaja ka nxjerrë automatikun dhe ka qëlluar disa herë në drejtim të bashkëshortit. Ky i fundit ka mbetur i vdekur në vend, ndërsa bashkëshortja është larguar nga vendi i ngjarjes për në shtëpi. Trupi i viktimës është gjetur më vonë nga policia, por vrasja mbeti pa autor. Verifikimet saktësuan se viktima kishte marrë në trup disa plagë me armë zjarri, të cilat i kanë shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Bashkëshortja e viktimës pas krimit ndaj të shoqit, është larguar në drejtim të Italisë ku ka qëndruar e qetë deri në prill 2008 tek disa të afërm të saj. Më 7 gusht 2007 Gjykata e Lezhës, ka nxjerrë urdhrin e arrestit ndaj saj. Urdhër-arresti i është përcjellë Interpolit, i cili ka filluar kërkimin për të dyshuarën. Lena Gjoni u arrestua në prill 2008 në Itali dhe tashmë pritet të përballet me gjykatat shqiptare me akuzën e vrasjes së bashkëshortit të saj 11 vite më parë në bregun e lumit Mat.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›