Kapshticë, fluks emigrantësh drejt Greqisë pas festimit të Pashkëve
KORÇË - Mijëra emigrantë që kishin ardhur në Shqipëri për të festuar Pashkët, i janë drejtuar paraditen e djeshme vendkalimit kufitar të Kapshticës, 25 km larg qytetit të Korçës, për t’u rikthyer në vendet e punës në Greqi, duke shkaktuar kështu radhë në këtë pikë doganore. Burime policore thanë për gazetën se “nga mëngjesi i djeshëm deri në mesditë mbi 2200 emigrantë kanë kryer procedurat e kalimit të kufirit dhe kanë udhëtuar në Greqi”. Ndërkohë, sipas tyre, dhjetëra autovetura dhe disa autobusë kanë qëndruar për pak kohë në pritje për të kryer këto procedura. Pala shqiptare në doganën e Kapshticës ka rritur në 5 numrin e sportele për të përballuar në një kohë sa më të shkurtër verifikimin e dokumenteve të emigrantëve dhe vendosjen e vulave të kalimit kufitar, dhe nga pala greke po punohet me 4 sportele. Sipas burimeve të Policisë Kufitare në Kapshticë, me rastin e festës së Pashkës, kanë hyrë nga Greqia afro 70 mijë persona.
21 Prill 2009