E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria, hetim praktikës për zhdoganimin e makinave me dokumente false



TIRANË - Prokuroria e Tiranës ka nisur shqyrtimin e dokumentacionit për zhdoganimin dhe me pas targimin e disa mjeteve motorike me dokumente të falsifikuara. Hetimet po realizohen në kuadër të procedimit të hapur ndaj 7 ish- punonjësve të Doganës dhe Drejtorisë Rajonale të Shërbimit të Transportit Rrugor në Tiranë, të cilët dyshohen për abuzime për qëllime përfitimi me zhdoganimin dhe targimin e disa makinave që nuk dispononin dokumente të rregullta. Grupi hetimor ka marrë në shqyrtim dokumentacionin përkatës të mbajtur nga ish- zyrtarët, që nga zhdoganimi i mjeteve motorike deri tek targimi i tyre dhe më pas lejimi për qarkullim, bënë të ditur dje burime pranë Prokurorisë së Tiranës, duke konfirmuar se hetuesit kanë siguruar materiale për disa raste të abuzimit me makinat që mendohet se disponojnë dokumente false. 7 ish- funksionarët e dyshuar për afera korruptive në detyrë u arrestuan pak ditë më parë në Tiranë, në një operacion të Policisë dhe Prokurorisë së Rrethit. Katër prej tyre ndodhen në paraburgimin e Tiranës, ndërsa të tjerët po hetohen në gjendje të lirë. Sipas prokurorisë së Tiranës, këta persona mendohet se kanë përfituar shuma parash që variojnë nga 4 deri në 5 milion lekë për një zhdoganim dhe targim automjeti me dokumente false. Ndërkohë, të dyshuarit mësohet se kanë mbajtur qëndrim mohues ndaj akuzave të ngritura ndaj tyre.

Pranga dy personave, ndihmonin kalimin klandestin të disa shtetasve

SARANDË- Operacioni i koduar “Gryka e Kataetos” vuri në pranga në orët e para të mëngjesit të djeshëm dy shtetas për veprën penale “dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”. Burime zyrtare nga komisariati i policisë së Sarandës, pohuan për gazetën se shtetasit Vilson Bushkola, lindur në Mirditë dhe banor i fshatit Shëndëlli dhe Ferit Plasa, lindur dhe banor i Tiranës, u ndaluan në afërsi të fshatit Çiflig, pranë kufirit me Greqinë. Sipas burimeve, 22-vjeçari Bushkola ishte duke u dhënë ndihmë dy shtetasve nga Lezha, kundrejt pagesës prej 100 euro për secilin për t’i transportuar në drejtim të kufirit me Greqinë. Shtetasit nga Lezha u ndihmuan deri në fshatin Çiflig nga shtetasi Ferit Plasa, 36 vjeç, nga Tirana, me automjetin e tij “Mercedes bens” 2400 me targë TR 7401 I, kundrejt një vlere prej 1600 euro për secilin. Në fshatin Çiflig ata ranë në grackën e Policisë.

21 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›