Kapshticë, hyjnë mbi 20 mijë automjete
Kapshticë- Hyrja e emigrantëve në tokën shqiptare për të kaluar pushimet e sezonit të verës ka rritur ndjeshëm edhe fluksin e automjeteve që qarkullojnë si në akset rrugore nacionalë të rajonit të Korçës, ashtu edhe brenda në qytetin e Korçës.
Vetëm gjatë ditëve të fundit kanë hyrë nga pika e kalimit kufitar Kapshticë rreth 20 mijë automjete një shifër kjo relativisht e lartë krahasuar me vitin e kaluar. Për këtë, sektori i policisë të qarkullimit rrugor ka kaluar në gatishmëri të plotë.
Sipas shefit të policisë të qarkullimit rrugor, Adriatik Hoti është shtuar numri i punonjësve të policisë rrugore që patrullojnë në të gjitha akset kryesore. “Po punohet me orare suplementare. Janë vënë në punë edhe radarët në pika të ndryshme me rrezikshmëri të lartë për aksidente, njëherësh po shpërndahen për emigrantët fletë palosje me të dhëna për akset rrugore ku punohet dhe numrat e telefonave për gjithë komisariatet në shkallë republike”- tha ai.
Gjatë ditëve të fundit, sipas tij, janë rregjistruar 4 aksidente, pa pasoja vdekje. Ndërkohë
për të gjithë kundravajtësit janë vendosur gjoba dhe masa administrative me synim shmangien e aksidenteve.
Gatishmëria e plotë e punonjësve të qarkullimit rrugor do të vazhdojë deri në gjysmën e dytë të muajit gusht, periudhë kjokur emigrantët rikthehen në vendet e tyre të punës drejt shtetit grek.