Shëndetësia, shkarkimet e para të ministres Godo
TIRANË- Që në ditën e parë të emërimit të saj, ministrja e re e Shëndetësisë, Anila Godo ka paralajmëruar reformë të thellë në dikasterin që ajo mori përsipër të drejtojë. Megjithëse është shprehur se në këtë institucion nuk do të kishte shkarkime politike, znj.Godo ka bërë me dije se shumë prej drejtorëve në Shëndetësi, ishin emëruar për shkak të përkatësisë partiake. Dhe lëvizjet kanë filluar. Burime nga Ministria e Shëndetësisë bëjnë të ditur se ministrja Godo ka shkarkuar nga detyre 3 drejtorë të rëndësishëm, përveç stafit politik, të cilëve që në ditët e para u ka kërkuar dorëheqjen. Mësohet se është shkarkuar nga detyra drejtoresha e Burimeve Njerëzore, Aida Leonidhi, drejtori i Përgjithshëm i Politikave Shëndetësore, Edmond Stojku, si dhe drejtoresha e Marrëdhënieve me Jashtë, Neriana Dosti. Sipas burimeve të mësipërme, shkarkimet janë njoftuar dje, ndërkohë që nga ky dikaster është larguar edhe stafi politik i ish -ministrit Ndoka. Bëhet e ditur se me vendim të ministres së re është shkarkuar shefja e kabinetit të Ministrisë, Erestina Halili, si dhe këshilltari Afrim Krasniqi. Ndërsa këshilltari tjetër i kësaj ministrie, Lazër Stani ka paraqitur dorëheqjen, e cila është firmosur dje nga ministrja Godo. E ndërsa shkarkimet në nivel të lartë të administratës së Shëndetësisë janë zyrtarizuar dje, në website-in e kësaj ministrie është harruar të pasqyrohet ndryshimi i ministrave, ku ende figuron si ministër i Shëndetësisë, Nard Ndoka.