E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapshticë, klandestinët e gjetur në dëborë kthehen me ekspuls nga Greqia

>Përsëritja e veprës, 2 vite burg për klandestinët e rikthyer në atdhe
Mbërrijnë në Shqipëri katër klandestinët e parë që mbetën në dëborë për më shumë se 20 orë. Policia greke kthen pas 8 ditësh klandestinët që mbetën në dëborë, mes të cilëve dhe dy vogëlushe 3- vjeçare. Vonesa e gjatë e riatdhesimit të klandestinëve shqiptarë pas gjetjes së tyre në dëborë, lidhet me përballjen me togat e zeza të gjykatës së Mesapotamisë, qytet në të cilin kanë qëndruar të izoluar në policinë lokale, këta klandestinë. Gjatë ditës së djeshme, policia greke ka kthyer katër prej klandestinëve, të cilët gjithashtu kanë marrë dhe një dënim nga drejtësia e shtetit fqinj, duke mos i lejuar më të shkelin në Greqi, por dhe me një dënim me dy vjet burg në rast përsëritje si dhe një gjobë. Klandestinët kanë rrëfyer për vuajtjet që kanë përjetuar gjatë rrugës së tyre drejt shpresës, ndërsa kanë treguar gjithashtu orët e tyre të tmerrit në dëborë, ku iu është rrezikuar jeta e tyre dhe e fëmijëve. Në grupin prej 7 klandestinësh gjendeshin tre gra dhe dy fëmijë. Të kthyerit e parë janë Përparim Cali, Aleksandër Dushaj, Mareta Zekaj dhe vogëlushja Antoneta Verri.
Rrëfimi i klandestinëve
Përparim Cali, 25- vjeçari që është kthyer dje në pikën kufitare të Kapshticës nga policia greke, ka pranuar të tregojë se si ka prekur vdekjen pas atij udhëtimi tejet të frikshëm, ndërsa falë ndërhyrjes në kohë të policisë shqiptare të Kapshticës dhe asaj greke në anën tjetër të kufirit janë lokalizuar dhe janë gjetur gjysmë të ngrirë. U nisëm drejt Greqisë nga mali në 12 janar në orën 4:00 të mëngjesit dhe vetëm në orët e mbrëmjes kur humbëm rrugën dhe mbetëm në mal kërkuam ndihmë. Di që vëllai im nga Shqipëria njoftoi policinë shqiptare dhe kështu shpëtuam. Policia greke na gjeti shpejt dhe na ndihmoi jashtë mase, por kam mbajtur kontakte edhe me policinë shqiptare në Kapshticë të cilën e falenderojmë se nuk na braktisi por na shpëtoi duke kërkuar ndihmë në palën greke, ka pohuar Përparim Cali njëri prej klandestinëve që mbeti në dëborë. Ai gjithashtu ka treguar se jeta e tyre ka qenë në momentet më kritike, ndërsa atij vetë iu desh të ecte zbathur në dëborë, pasi njëra këpucë i mbeti në mal. Madje Cali tregon se për fat të mirë vogëlushe, të cilat ishin nga tre vjeç, nuk patën asnjë problem pasi e gjithë vëmendja e të rriturve është drejtuar tek ato duke i mbështjellë me gjithçka që kishin. Bashkë me Calin policia greke ka deportuar në pikën kufitare edhe Marjeta Zekajn, 22 vjeçaren, e cila mbante me vete dhe vogëlushen e saj, Antoneta Verri, 3 vjeç e gjysmë. Edhe Marjeta në ato pak fjalë ka pohuar se ai udhëtim për të do të mbetet në kujtesë, pasi ka mundur të shpëtojë falë ndërhyrjes në kohë të policisë. Sipas klandestinëve, policia greke ka ardhur menjëherë sapo këta të fundit kanë kërkuar ndihmë tek ajo. Sipas Aleksandër Dushajt, të kthyerit tjetër të policisë fqinje ata kanë kërkuar ndihmë në policinë e Selanikut dhe më pas ata iu kanë dhënë telefonin e policisë së Mesapotamisë për ndihmën, e cila nuk e ka kursyer aspak atë. Madje forcat e policisë i kanë trajtuar për dy ditë rresht në spital duke iu dhënë ndihmën e nevojshme mjekësore, ndërsa më pas kanë kryer procedurat e tjera. Klandestinët shqiptarë përvçse iu është dashur të përjetojnë momente ankthi ku jeta e tyre rrezikohej, sërish janë përballur dhe me drejtësinë greke për faktin se kishin hyrë klandestinë në shtetin fqinj. Tre klandestinët e mbërritur në Kapshticë, Parparim Cali, Marjeta Zekaj dhe Aleksandër Dushaj janë dëbuar përfundimisht nga Greqia duke mos u lejuar të hyjnë në të për 5 vjet. Dënimi i gjykatës ka qenë me dy vjet burg me kusht për gjithsecilin në rast përsëritje, si dhe një gjobë prej 6 mijë eurosh secili.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›