Kapshticë, rikthim masiv klandestinësh në kufi, 157 persona brenda ditës
Rikthehen kthimet masive të emigrantëve të paligjshëm në Kapshticë. Policia greke ka kthyer të shoqëruar deri në territorin shqiptar një numër të madh klandestinësh të kapur kryesisht në qytetet dhe fshatrat e Greqisë veriore në kufi me rajonin juglindor shqiptar.
Duke iu referuar të dhënave të policisë kufitare në vendkalimin kufitar të Kapshticës në 24 orët e fundit vihet re një numër i konsiderueshëm emigrantësh të paligjshëm të kapur në shtetin fqinj. Janë 157 klandestinë, të cilët janë kthyer pas në kufi kryesisht gjatë paradites së djeshme, ndërsa janë regjistruar edhe nga policia shqiptare, e cila iu ka marrë të gjitha të dhënat e nevojshme madje edhe shenjat e gishtave për të gjithë të kapurit. Duke iu referuar të njëjtave burime mësohet se të kapurit e policisë së shtetit fqinj janë të seksit mashkull dhe i përkasin moshës nga 15-35 vjeç. Kryesisht ata vijnë nga rrethet veriore të vendit, ku dhe gjendja e tyre ekonomike siç pohojnë ata në polici është e vështirë për të mos thënë mjerane, ndaj dhe synojnë shtetin fqinj. Të kthyerit e orëve të fundit kanë kaluar kufirin shtetëror nëpërmjet rrethit të Devollit dhe atij të Kolonjës në qarkun e Korçës. Ata janë mbajtur të izoluar për dy ose tre ditë në policitë rajonale greke si në qytetet Kostur, Follorinë, Kozan, madje dhe në Selanik derisa janë kthyer pas me mjetet e policisë greke, për tiu dorëzuar në Kapshticë autoriteteve shqiptare të policisë. Sipas burimeve të kësaj të fundit, rritja e numrit të të kapurve të policisë greke vjen edhe për arsye të përmirësimit të kushteve klimaterike dhe kalimit pa problem të kufirit tokësor me shtetin fqinj i cili shtrihet kryesisht në një terren shumë të vështirë malor. Klandestinët janë kapur gjatë udhëtimeve të tyre nëpër zona të banuara të shtetit grek, ndërsa kishin vetëm pak ditë që kishin hyrë në thellësi të territorit të këtij shteti.