Kapshticë, ushqim e transport falas për klandestinët e deportuar
KORçE - Emigrantët e parregullt në dokumente që riatdhesohen nga pala greke, kanë filluar të trajtohen me ushqim dhe transport falas. Masat për të ulur emigracionin e paligjshëm janë ndërmarrë jo vetëm për parandalimin e tij, por edhe për të treguar kujdes ndaj atyre klandestinëve, që zgjedhin shtigjet ilegale për të mbërritur në Greqi. “Ky është një vendim i qeverisë që u njeh një trajtim ushqimor emigrantëve si dhe transport falas, por ende nuk ka hyrë plotësisht në fuqi, pasi jemi në procesin e tenderimit për ushqimin që do t’u jepet emigrantëve klandestinë apo të transportit të tyre”, - pohohet nga burime të policisë kufitare në Kapshticë. Megjithatë, sipas të njëjtit burim, për një pjesë të emigrantëve ka filluar trajtimi ushqimor, ndërsa thuajse të gjithë ata që kthehen transportohen falas për një pjesë të udhëtimit dhe jo deri në destinacionin e tyre në vendlindje. Në doganën e Kapshticës, sqarojnë se ka filluar të jepet ushqimi falas, kryesisht për emigrantët më shumë në nevojë; ata të cilët nuk kanë mundësi financiare që të ushqehen pas riatdhesimit nga pala greke. Kjo kategori emigrantësh klandestinë trajtohet me një hamburger dhe një shishe ujë falas. Përsa i përket transportit, emigrantët e riatdhesuar dërgohen me shpenzimet e shtetit nga dogana e Kapshticës deri në qytetin më të afërt, atë të Bilishtit. Sipas të dhënave, krahas ushqimit dhe transportit falas, emigrantëve u jepen edhe fletëpalosje për t’i drejtuar ata në zyrat e punës, ku mund të interesohen pranë qendrave të tyre të banimit për punësime në zanate të ndryshme apo edhe trajnime që për ata përbëjnë prioritet. Sezoni i verës është ai që sjell një fluks më të madh të emigracionit klandestin drejt Greqisë për faktin se në këtë periudhë shtohet punësimi sezonal, sidomos në bujqësi. Ata emigrantë që nuk kanë mundësi të pajisen me viza dhe dokumente qëndrimi në Greqi, vazhdojnë të ikin në mënyrë të parregullt nëpërmjet kufirit tokësor, por pjesa më e madhe e tyre kapen shpejt dhe riatdhesohen nga pala greke. Një numër prej 50 emigrantësh klandestinë riatdhesohet zakonisht çdo ditë nga pala greke në doganën e Kapshticës, pjesa dërmuese e të cilëve e kanë të përsëritur ikjen ilegale për në vendin fqinj. g.a