E Diel, 1 Nëntor 2026

Vdes nga korenti, familjarët heqin kufomën pa ardhur policia



TIRANE – Një 40-vjeçar gjeti vdekjen pasditen e djeshme pas kontaktit me energjinë elektrike, teksa mundohej të rikthente energjinë që i ishte shkëputur. Ngjarja ndodhi në Shkozë të Tiranës, por ajo që e bën këtë ngjarje të pazakontë, është fakti se policia e lajmëruar për incidentin me pasojë vdekjen, kur mbërriti në vendngjarje, pa që kufoma nuk ndodhej aty, duke mos arritur të bëjnë këqyrjen sipas procedurave të zakonshme. Kanë qenë familjarët e viktimës, ata që duke shpresuar se mund ta kthenin në jetë, kanë tentuar ta transportojnë me një makinë personale drejt spitalit, edhe pse 40-vjeçari nuk kishte shenja jete. Për këtë arsye, policia e Tiranës ka shpallur në kërkim mjetin, me të cilin është marrë kufoma, një “Benz” më targë TR 7512, ndërsa ka nisur hetimet për ta zbardhur këtë ngjarje. Sipas burimeve nga policia nuk dihet identiteti i viktimës dhe shkaku pse familjarët e kanë marrë trupin pa u kryer procedurat përkatëse. Ndërsa rënia e viktimës në kontakt me korentin, dyshohet të ketë ndodhur nga pakujdesia e tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›