E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapsolla plagos 13-vjeçarin

FIER – Një 13–vjeçar është plagosur dje në fshatin Marinëz të rrethit të Fierit kur një kapsolle luftarake i ka shpërthyer në dorë.

Sipas policisë, Ledion Ruko ka pësuar dëmtime serioze në gjymtyrët e tij si rezultat i shpërthimit. Bëhet e ditur se 13-vjeçari së bashku me një bashkëmoshatarin e tij kishin dalë për të mbledhur skrap. Në vendin ku po kërkonin për hekurishte ai ka gjetur një kapsollë luftarake. I shtyrë nga kurioziteti dhe njëkohësisht nga padija për rrezikun që përmbante objekti i gjetur, ai ka filluar ta godasë atë me mjete të forta. Në këto momente kapsolla i ka shpërthyer të miturit në duar, duke e lënë atë pa ndjenja. Ndihmën e parë Ruko e ka marrë nga shoku i tij, i cili më vonë ka lajmëruar edhe familjarët për atë që kishte ndodhur. Menjëherë prej tyre i mituri është dërguar me urgjencë për në spitalin rajonal të Fierit, ku është vënë nën kujdesin e mjekëve. Sipas bluzave të bardha, prej plagëve të marra i mituri kishte humbur sasi të konsiderueshme gjaku, por pa rrezikuar për jetën. Mësohet se Ruko mblidhte hekura me qëllim shitjen për skrap për të ndihmuar gjashtë pjesëtarët e familjes së tij, e cila jetonte në vështirësi ekonomike. Pak kohë më parë dy të mitur në rrethin e Korçës u plagosën nga një kapsolle tek ishin duke kërkuar hekurishte për skrap.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›