E Diel, 1 Nëntor 2026

Biznesmeni: Një shoku im më futi drogën në makinë për 2 mijë euro

TIRANE - Për të kaluar dy kilogramë drogë në doganën e Tri Urave në Përmet, biznesmeni 33-vjeçar korçar Ardian Rexhepaj do të paguhej me dy mijë euro.

Kështu deklaroi dje në Gjykatën e Krimeve të Rënda, Rexhepaj, para kreut të këtij institucioni, Sandër Simoni, i cili vlerësoi masën e sigurisë për të arrestuarin. Para gjyqtarit Simoni, Rexhepaj pohoi se një shok i tij i fëmijërisë, i quajtur Roni, nga fshati Dvoran i Korçës, i kishte kërkuar t’i transportonte për në Greqi dy kilogramë heroinë në këmbim të dy mijë eurove. Të dy kishin rënë dakord për punën dhe pagesën, ndërsa i kishte dorëzuar Ronit makinën e tij tip “Toyota” me targa greke “YMB 3402”, për të fshehur drogën. Gjithçka është kryer në datat 1 dhe 2 maj, ndërsa paraditen e 3 majit makina i është dorëzuar pronarit Rexhepaj, i cili dispononte vizë “Shengen” në pasaportë, si dhe një leje qëndrimi për në shtetin helen. Rreth orës 14:00 të 3 majit, Rexhepaj ka mbërritur në pikën e kalimit kufitar të “Tri Urave” në Përmet. Në momentin e parë pas dorëzimit të pasaportës dhe pas marrjes së vulës dalëse, 33-vjeçarit i është kërkuar të hapë derën e bagazhit të mjetit për të kryer kontrollin e zakonshëm. Pasi i është bindur kësaj kërkese të policisë dhe mjaft i qetë në pamje, i riu nga Mollasi i Korçës, i cili kalonte kufijtë shpesh për qëllime tregtie, ka ndezur një cigare dhe në atë moment kërkoi të shkonte për të blerë një kafe në lokalin që ndodhej 100 metra në thellësi të territorit shqiptar. Në këtë moment dy prej kontrollorëve e kanë refuzuar këtë kërkesë të të riut dhe i janë afruar atij që të mos lëvizte. Rexhepaj ka shtyrë paksa një prej policëve për t’u larguar, por reagimi i policëve të tjerë ka qenë i menjëhershëm, duke izoluar lëvizjen e mëtejshme të të riut korçar. Më pas janë zbuluar në gomën rezervë 2 kg heroinë dhe më pas poshtë sediljes së shoferit edhe 13 kg të tjera. Për këto të fundit ai pohon se nuk kishte dijeni.                 fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›