E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tritol në Kukës, tronditet qyteti

Një shpërthim i fuqishëm ka tronditur qytetin e Kukësit në orët e para të mëngjesit të djeshëm.

Shpërthimi i një sasie prej rreth 300 gramë tritol ka shkaktuar dëme të shumta materiale si edhe panik tek qytetarët, por për fat nuk ka pasur të lënduar. Policia e Kukësit dhe ekspertë të mbërritur nga Tirana kanë kryer veprimet e para hetimore, por nuk është ndaluar asnjë i dyshuar si autor i shpërthimit. Gjithashtu nuk janë bërë të ditura motivet e shpërthimit, si edhe kush ishte shënjestra e tij, ndërkohë që hetimet po kryhen nga ekspertët e kryeqytetit.
Ngjarja
Ka qenë ora 03:30 e mëngjesit të së shtunës, kur shpërthimi i fuqishëm është dëgjuar në lagjen nr.5 të qytetit të Kukësit. Shpërthimi ka tronditur gjithë qytetin duke ngjallur panik te banorët, veçanërisht tek ata që jetojnë në pallatin pesëkatësh pranë të cilit ishte vatra e tij. Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar forca të shumta policie. Gjithashtu për ngjarjen janë njoftuar edhe ekspertët e Drejtorisë së Policisë dhe ato të Drejtorisë së Përgjithshme, që kanë mbërritur me urgjencë në qytetin verior nëpërmjet helikopterit. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes është konstatuar se është shkatërruar plotësisht një autoveturë e tipit “Golf 4”, me targa kosovare në pronësi të Blerim Lekicës, 35 vjeç, roje në bashkinë e qytetit të Kukësit dhe ka dëmtuar një automjet tjetër. Fuqia e shpërthimit ka thyer pothuajse të gjitha xhamat e pesë kateve të pallatit. Dëmtime të mëdha ka pasur një zyrë noterie në pronësi të Bexhet Gjanës, e cila ishte ndërtuar ngjitur me pallatin. Gjithashtu dëmtime kanë pësuar edhe muret e UNION BANK dhe të një tjetër zyre noterie që ishte përballë vendit ku ndodhi shpërthimi. Sipas policisë, sasia e eksplozivit ka qenë e vendosur në cepin hyrës të pallatit, në një kënd që formohet me zyrën noteriale në katin e parë ku ka qenë e parkuar dhe autovetura, e cila është dëmtuar tërësisht. Sipas të dhënave paraprake, mendohet se lënda plasëse e përdorur ka qenë e llojit tritol afërsisht 300 gr që mund të jetë shpërthyer nga distancë me anë të një fitili të gjatë.
Hetimet
Pasi janë lajmëruar nga autoritetet lokale, në orën 05:00 të mëngjesit në qytetin e Kukësit kanë mbërritur ekspertët e eksplozivëve nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit. Sipas burimeve nga grupi hetimor, mësohet se është bërë ekspertimi në vendin e ngjarjes, ku ka mbetur dhe një gropë e hapur nga shpërthimi. Janë marrë gjithë provat e duhura materiale që do të hetohen në Laboratorin e Policisë Kriminale në Tiranë, si dhe pjesë të mbetura të makinës. Lënda shpërthyese ka qenë vendosur më pranë autoveturës, por ende nuk është saktësuar se cili ka qenë shënjestra e vërtetë e tij. Roja i bashkisë ka mohuar të ketë konflikt, ashtu si dhe noteri Gjana, të cilët janë më të dëmtuar në këtë ngjarje. Sipas policisë, pesë vite më parë noteri kishte ndërtuar një shtesë në pallat, për të cilën shpeshherë banorët ishin ankuar. Megjithatë, hetuesit e shohin me rezerva këtë pistë, pasi atentatorët gjatë veprimit ekstrem mund të rrezikonin familjet e tyre. Sipas policisë, pas deklaratave të marra nga personat, të cilët janë dëmtuar nga shpërthimi ka rezultuar se askush prej tyre nuk ka pasur ndonjë përplasje, apo konflikte.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›