E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trafik heroine me autobus linje

Një sasi prej 2.5 kg heroinë është bllokuar në orët e para të mëngjesit tek vendi i quajtur “Shkëmbi i Kavajës”.

DURRES/ OERD ULQINI

Në pranga ka përfunduar zotëruesi i drogës, 24-vjeçari nga Tepelena, Sajmir Asllani. Lënda narkotike është gjetur brenda bagazhit të Asllanit, i cili në atë orë të vonë po udhëtonte me autobusin e linjës Tiranë-Tepelenë. Ka mjaftuar një sinjal i dhënë nga homologët kryeqytetas, për të ngritur në gatishmëri të gjithë sektorin e antidrogës së Durrësit. Një postbllok policie u ngrit “rastësisht” në zonën ku rrethi i Durrësit ndahet me Kavajën. Objektivi i kësaj ndalese nuk ka qenë kontrolli i dokumenteve të shoferit dhe as i pasagjerëve të tjerë, por vetëm sasia e drogës e cila qe fshehur në valixhen e të riut nga Tepelena. Operacioni është finalizuar në orën 01:45 dhe Asllani nuk ka bërë asnjë lloj rezistence. Më pas autobusi, së bashku me 30 pasagjerë të tjerë është lënë i lirë të rrugëtojë në atë orë të vonë të natës, pasi goditja kishte përfunduar. Në valixhen e Sajmir Asllanit u gjetën dy qese dhe një kallëp me drogë të kuqe, të cilat së bashku arritën një peshë totale prej 2 kg e 496 gram. Droga ishte e presuar dhe qe fshehur mirë mes sendeve të tjera personale. Informacioni nga homologët kryeqytetas rezultoi i saktë dhe vetëm pesë minuta më vonë salla operative e Durrësit njoftoi qendrën për suksesin e arritur. “Sajmir Asllani nuk ishte person me precedentë penalë, ndaj ishte zgjedhur si korrier, pasi ishte një person jashtë çdo dyshimi”, bëri me dije policia e Durrësit. Por informacioni i marrë në rrugë operative e çoi dëm këtë orvatje për të trafikuar drogën e fortë drejt jugut. Sipas policisë së qytetit bregdetar, 24-vjeçari ka lindur në Tepelenë, por prej të paktën pesë vitesh banonte në Vlorë. Policia ka bindjen se Asllani është vetëm një korrier i thjeshtë i rrjetit që vepronte në aksin Tiranë-Vlorë. Por në pyetësorin e radhës ai ka mohuar çdo gjë, madje edhe faktin se në bagazhet e tij është gjetur drogë. “Unë nuk di asgjë, pasi nuk kam pasur kurrë drogë në valixhen time”, ka deklaruar i arrestuari policisë duke shtuar se ndonjë person tjetër e ka futur qëllimisht heroinën në bagazhin personal. Kapja e kësaj sasie droge ka intensifikuar raportet mes policisë së Durrësit, Tepelenës dhe të Vlorës, zona këto ku Asllani shkonte shpesh. Blutë e qytetit bregdetar kanë dyshime se droga ishte e destinuar për tregjet e qyteteve jugore të Shqipërisë, pasi edhe cilësia e saj ishte e dobët. Sipas policisë, ajo mund të shpërndahej tek pushuesit përgjatë rivierës shqiptare. Substanca e bllokuar është dërguar në laborator, pasi do t’i nën shtrohet ekzaminimeve laboratorike për të saktësuar përbërësit e tjerë që janë përzierë me heroinën. Ndërkohë Prokuroria e Durrësit ka marrë në dorëzim dosjen “Asllani”, duke formuluar ndaj të riut tepelenas akuzën e “prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike”.

Ndalohet bashkëpunëtori i mësuesit
ELBASAN - Policia e Elbasanit ndaloi dje një 52-vjeçar, i cili dyshohet si anëtar i një grupi që prodhonte dhe shiste lëndë narkotike, mes të cilëve rezulton si i implikuar dhe një mësues, tashmë i arrestuar. Thedhor Fara, banues në qytetin e Elbasanit u ndalua pasi në banesën e tij u gjet një sasi prej 30 gramë “kanabis sativa”, 72 fishekë pistolete si dhe 17 fishekë automatiku. Të njëjtat burime thanë, se 52-vjeçari dyshohet të jetë bashkëpunëtor i 26-vjeçarit Endrit Kaculi, mësues në shkollën e mesme të përgjithshme “Mahir Domi”, si dhe 22-vjeçarit, Naim Mino, të kapur dy ditë më parë me 500 gramë hashash dhe 1 gram heroinë e pastër.                       a.k

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›