E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kapteri i komandove godet me grushta policët

11/06/2005  Bledar Matraku e vëllai i tij, Odise Matraku, kundërshtojnë në Kamzë patrullën e policisë

TIRANË- Kapteri i Komandove të Zall-Herrit dhe vëllai i tij qëllojnë, kanosin e fyejnë policët e Komisariatit numër 5, ku mes të cilëve ndodhej edhe shefi i krimeve. Sipas burimeve zyrtare të Policisë së Tiranës, 25-vjeçari Bledar Matraku dhe vëllai i tij, Odise Matraku, 22 vjeç, lindur e banues në Kamzë, pas një sherri me disa persona të tjerë në këtë lagje, kanë kundërshtuar praninë e uniformave blu, fillimisht duke i kanosur ata, e më pas duke i qëlluar me sende të forta. Ngjarja, sipas burimeve të Komisariatit numër 5, ka ndodhur rreth mesnatës të së enjtes në qendër të Kamzës, kur dy vëllezërit kanë shfaqur dhunë ndaj policisë. Pas disa përpjekjeve për të neutralizuar lëvizjet e agresorëve, uniformat blu kanë kërkuar në radio përforcime të reja, të cilat më pas i kanë arrestuar dy vëllezërit.

Ngjarja

Burime të Komisariatit numër 5 në Tiranë, bënë të ditur dje se në qendër të Kamzës ishte raportuar për një grindje mes disa të rinjve. Në vendngjarje kishin mbërritur menjëherë disa efektivë të policisë në Komisariatin numër 5, të cilët ishin fyer nga kapteri në sektorin e Reagimit të Shpejtë të komandove në Zall-Herr, Bledar Matraku dhe vëllai i tij, Odisea. Menjëherë janë kërkuar në radio përforcime të reja për të vënë në pranga dy personat. Pranë vendit ku ndodhi zënka, sipas burimeve policore, kishte mbërritur edhe shefi i krimeve në këtë komisariat, i cili, sipas policisë, u trajtua nga agresorët në të njëjtën mënyrë. Duke parë që zënka po precipitonte në grushta e shqelma, uniformat blu i shoqëruan menjëherë dy vëllezërit në komisariat. Burimet policore bëjnë të ditur se ndaj kapterit të komandove të Zall-Herrit dhe vëllait të tij është marrë masa e arrestit, ndërsa kjo çështje është marrë parasysh edhe nga Prokuroria Ushtarake, e cila po ndjek ngjarjen në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës. Veprat penale që ata kanë konsumuar parashikohen nga nenet 136, 238 e 239 të Kodit Penal.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›