Plagosen në aksident dy policë në Kamzë
11/06/2005 TIRANË- Shoferi i një furgoni tip “Benz2 përplas një “Ford2, në brendësi të të cilit ndodhej një polic, ndërsa një tjetër efektiv që ndodhej pranë, u godit lehtë si pasojë e aksidentit. Ngjarja, sipas burimeve të Komisariatit numër 5, ka ndodhur në orët e vona të së enjtes, në aksin rrugor Tiranë-Kamzë, kur Përparim Osmani, 35 vjeç, lindur në Tropojë e banues në Tiranë, shofer i furgonit tip “Benz”, me targa BC 0410 B, përplasi punonjësin e policisë së Komisariatit numër 5, Viron Rusin, 41 vjeç, nga Tirana. Ky i fundit ishte duke drejtuar mjetin e tipit “Ford”, me targa AH 610 PK. Pakujdesia, përveç plagosjes së njërit prej efektivëve të policisë, shkaktoi edhe dëmtimin e policit tjetër që ndodhej aty pranë, 41-vjeçarit Sulltan Hasa. Burimet e policisë thanë se nga përplasja u dëmtua lehtë edhe drejtuesi i mjetit. Në vendngjarje u ndodhën edhe punonjës të tjerë të policisë, të cilët shërbejnë në qarkullimin rrugor, që mundësuan gjetjen e një mjeti për transportimin e të plagosurve në Spitalin Ushtarak. Sakaq mësohet se gjendja e tyre shëndetësore është e kënaqshme, ndërsa burime mjekësore thanë se, "kemi të bëjmë me disa dëmtime të lehta në disa pjesë të trupit". Nga ana tjetër, uniformat blu i kanë vënë prangat në spital të dyshuarit si shkaktar të këtij aksidenti, Osmanit, ndërsa pas shërimit të tij, ai do të transportohet në qelitë e paraburgimit të Komisariatit numër 5. Muajt e fundit kanë vdekur në Tiranë nga aksidentet tre punonjës me uniformë, dy prej të cilëve shërbenin në Gardën e Republikës, ndërsa i treti ishte inspektor në Komisariatin numër 1 në Tiranë dhe është plagosur një tjetër inspektor në këtë komisariat.
M.Mullai
M.Mullai