“Karaburuni, perlë e Mesdheut”
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, gjatë një takimi në Berat deklaroi se partia, që ai drejton do të dalë forca e parë në këtë qark. Gjatë prezantimit të kandidatëve për deputetë në këtë qytet, lideri i LSI-së, Meta deklaroi se “në Berat do të dalim forcë e parë në zgjedhje”. Ndërsa ka sulmuar kryeministrin Berisha mbi qeverisjen e tij. “Ti kryeministër nuk je si Skënderbeu, por je si Hamza Kastrioti. Ti u shite Shqipërinë, fazlliçëve të tu”, deklaroi Meta. Kreu i LSI-së ka prezantuar “Panin për Veprim” në qytetin e Vlorës gjatë takimit me qytetarët vlonjatë. Meta garantoi të gjithë vlonjatët dhe shqiptarët, se duke votuar për LSI, do të votojmë për realizimin e projekteve më të bukura dhe më përrallore të zhvillimit të turizmit në Shqipëri. Një ndër këta projekte është edhe bërja e një masterplani për shndërrimin e një gadishulli jashtëzakonisht të bukur, të Karaburunit një nga Perlat e Mesdheut. “Unë dua t’u siguroj që duke votuar për LSI-në dhe duke votuar për Ilir Metën, vlonjatët do të votojnë për një nga projektet më madhore, më të bukura dhe më përrallore, që Ilir Meta dhe LSI kanë për Vlorën dhe për bregdetin tonë, që është pikërisht shndërrimi i një gadishulli jashtëzakonisht të bukur, interesant dhe potencial të jashtëzakonshëm turistik, që është ai i Karaburunit nga një gadishull që sot shërben vetëm për kullota në një nga perlat e Mesdheut për të zhvilluar Turizmin”, tha Meta. Kreu i LSI-së, shtoi se “brenda katër viteve të ardhshme unë dua t’ju siguroj, ashtu sikurse kur isha Kryeministër premtova fillimin e ndërtimit të rrugës së bregdetit dhe e filluam në pjesën më të vështirë me rrugën e Llogarasë, ku nuk kishte vënë dorë që nga pushtimi i Austro-Hungarezëve, do të fillojmë dhe do të realizojmë rrugën nga Pashalimani deri në Palasë, për ta kthyer gadishullin e Karaburunit më të bukurin dhe më tërheqësin në Evropë”. Meta tha se “dy janë dhe objektivat tona për punësimin. Së pari, për hapjen e 100 mijë vendeve të qëndrueshme të punës gjatë 4 viteve të ardhshme dhe së dyti, një program i veçantë për të ndihmuar çdo familje që jeton në varfëri kritike dhe që nuk ka asnjë të punësuar”. Për këtë qëllim për të përballuar dhe zbutur efektet e krizës globale dhe taksës së sheshtë, kreu i LSI-së theksoi se “ne kemi një program të qartë, i cili synon që të përjashtojë nga tatimi mbi të ardhurat të gjitha të ardhurat dhe pagat deri në 250 mijë lekë në muaj nga 100 mijë që është sot. Ndërsa për diferencën apo për taksën tjetër nga 250 mijë deri në 500 mijë lekë në muaj tatim-fitimi do të paguhet për diferencën mbi 250 mijë lekë”.