E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndahet nga jeta Vebi Velija,kreu i TV të parë mbarëshqiptar

 

Presidenti i ndjerë i TV ALSAT, Vebi Velija, u përcoll dje pasdite për në banesën e fundit në fshatin e tij të lindjes Gradec të Gostivarit në Maqedoni. Velija ndërroi jetë mesnatën e të premtes pas një sëmundjeje të rëndë, në moshën 61-vjeçare. Vebi Velija ishte pronar i Korporatës Rajonale Ballkanike të Industrisë dhe Konsulencës VEVE Group dhe i rrjetit televiziv ALSAT në Maqedoni, Shqipëri dhe Kosovë, si edhe themelues dhe president i Institucionit Kulturor “Fondacioni Velija”. Klasa politike shqiptare dhe ajo maqedonase ngushëlloi dje familjen Velija për humbjen e tij. Presidenti Bamir Topi, kryeministri Sali Berisha, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, kryetari i PS-së, Edi Rama, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dhe figura të tjera politike në Tiranë, Prishtinë e Shkup vlerësuan kontributin e Vebi Velisë në promovimin e vlerave tona kombëtare brenda e jashtë vendit. Vebi Velija ishte president i “Veve Group”, themelues i rrjetit televiziv ALSAT në Maqedoni, Shqipëri e Kosovë dhe president i Institucionit Kulturor “Fondacioni Velija”. Ai ka qenë President i Bashkimit të Industrialistëve dhe Investitorëve të Shqipërisë. Velija themeloi radiotelevizionin e parë satelitor shqiptar, rrjetin televiziv “Alsat”, i cili transmeton 24 orë programe në Shqipëri, Maqedoni, Kosovë si dhe nëpërmjet satelitit në Evropë, Amerikë, Kanada e më gjerë. Televizioni “Alsat” u krijua fillimisht në Tiranë si ekrani i parë mbarëshqiptarë. Më pas, ALSAT-M mori licencën e parë të një televizioni kombëtar në gjuhën shqipe në Maqedoni, ndërsa një vit më parë u mor edhe licenca e televizionit “Alsat” në Kosovë. “Alsat” është televizioni që bashkoi të gjithë shqiptarët, ata në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Malin e Zi, Preshevë si dhe në mbarë botën ku jetojnë. Po ashtu, Vebi Velija ishte themelues dhe kryetar i Fondacionit “Velija”. Fondacioni u themelua më 13 korrik të vitit 1994 dhe ekziston si shprehje e bindjes së themeluesit të tij se një komb mund të mbijetojë me pak ushqim, por kurrë me pak kulturë. Fondacioni “Velija” është organizatë nacionale jofitimprurëse që funksionon përmes përkrahjes financiare të themeluesit të saj. Fondacioni “Velija” inicioi gjithashtu çmimin vjetor ndërkombëtar “Kadare”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›