Berisha: Ramës do ia bëj më të zi se Skënderbeu turqve
Kryeministri Sali Berisha i kërkoi dje sërish kreut të PS-së, Edi Rama, që të japë dorëheqjen nga posti i kryetarit të Bashkisë dhe të futet në garë për zgjedhjet e 28 qershorit. Duke folur nga Shënavlashi ku inauguroi shkollën e mesme të bashkuar “Besnik Hidri”, kreu i qeverisë u shpreh i sigurt për një fitore të thellë të PD-së, teksa premtoi se me vota do t’ia nxijë kreut të socialistëve. “Në Krujë më erdhi ndërmend t’i thosha diçka, por mendova se po tmerrohej. Në Krujë i thashë; eja këtu, ngriji sytë lart dhe shiko shtatoren e Skënderbeut, lutju të të japë pak kurajo. Kurse këtu tek ju, po them këtë tjetrën: Për mua dhe për ju Skënderbeu është hyjni, është idhulli ynë, por unë atij do t’ia bëj më zi sesa ua ka bërë Skënderbeu otomanëve, jo me shpata, jo me topa, por me vota, me vota të lira dhe të ndershme”, u shpreh Berisha. Gjatë ndjekjes së një ore mësimi të lëndës së gjeografisë, ku nxënësit njiheshin përmes pamjeve filmike dhe materialeve vizive me detajet e ndërtimit të rrugës Durrës-Kukës, kryeministri tha se “kjo rrugë është një vepër madhështore, dëshmia më e fuqishme e një Shqipërie që zhvillohet me shpejtësi, e një Shqipërie që mund të ndërtojë vepra të mëdha, që mund të ndërmarrë projekte ambicioze. Rruga është një aortë jetike për të lidhur dy pjesë të kombit Shqipërinë dhe Kosovën dhe për të shumëfishuar shkëmbimet njerëzore dhe tregtare mes dy vendeve”. Sipas kreut të qeverisë, kjo rrugë përfundon në qershor, teksa premtoi se brenda një viti do të liberalizohet regjimi i vizave mes Shqipërisë dhe BE-së. “Unë jam i bindur se interesi juaj është së pari tek fëmija, ndaj ne kemi përcaktuar 4 vite më parë, si përparësi të madhe tonën arsimimin e fëmijëve tuaj. Në atë kohë premtova dyfishimin e rrogave të mësuesve, internetin në çdo shkollë, rindërtimin dhe ndërtimin e shkollave të reja. Jo të shumtë kanë qenë ata që kanë besuar se të gjitha këto premtime do të mund të shndërrohen në realitet. Jo të paktë kanë qenë ata që kanë menduar se këto janë premtime për të marrë vota”, vijoi më tej kreu i qeverisë.