E Shtunë, 31 Tetor 2026

Karakaçi: Kampione do të jetë Vllaznia!

Ndizet “finalja” Tirana-Vllaznia, shkodranët pretendojnë fitoren në kryeqytet

Ndeshja e kësaj fundjave në mes ekipeve të të rinjve të Vllaznisë dhe Tiranës ka marrë trajtën e një ndeshjeje të vërtetë finale. Nga të dy kampet ka entuziazëm dhe deklarata optimiste për fitoren në ndeshjen direkte të kësaj jave. Pak ditë më parë ka folur në media një nga pjesëtarët e skuadrës bardheblu, ndërsa dje nga kampi shkodran është kundërpërgjigjur kapiteni Abaz Karakaçi.

“Kam lexuar në gazetën tuaj pak ditë më parë një prononcim të njërit prej futbollistëve të Tiranës, i cili deklaronte se me Vllazninë do t’i mbyllnin hesapet më 15 maj. Në fakt, më duket e pakuptimtë një deklaratë e tillë, sepse këtë Tiranë e kemi mundur në fazën e parë shumë lehtësisht 3-0.

Madje me bindje të plotë ju them se ky ekip është paraqitur më dobët se gjithë të tjerët këtë sezon në Shkodër. Duke e ditur forcën e Vllaznisë, mendoj se kundërshtarët tanë duhet të jenë disi më të matur në deklaratat e tyre,” – shprehet Karakaçi.

Matja e forcave duket se ka filluar mes futbollistëve 18 19-vjeçarë të të dy ekipeve. Kjo është gjë e mirë në fakt, sepse shton egon e tyre për fitore. Janë dy shkolla të njohura të futbollit shqiptar, të cilat janë shquar për elementët cilësorë që kanë nxjerrë te moshat. Karakaçi konsiderohet ndër më të mirët e brezit aktual te Vllaznia.

Ai ende nuk i ka mbushur të 19 tat, luan në mesfushë, si organizator, dhe dallohet qartë për vizionin e tij të lojës. Gjatë këtij kampionati ka arritur të shënojë 10 gola. Duke iu rikthyer ballafaqimit shumë të rëndësishëm me Tiranën, Karakaçi shton:

“Vllaznia e ka udhëhequr me meritë kampionatin që nga fillimi dhe mendoj se e meriton më shumë se kushdo tjetër titullin kampion. Kemi vetëm dy humbje gjatë këtij kampionati, por na kanë penalizuar disa barazime. Megjithatë, kam besim se në ndeshjen direkte do të fitojmë dhe do të jemi ne kampionët edhe këtë sezon.”

Ky është sezoni i fundit që Karakaçi luan me moshat dhe kuptohet që dëshira e tij e madhe është të luajë me Vllazninë. Ai prej tri sezonesh ka fituar tre tituj kampion te moshat. Karakaçi pritet të jetë ndër të parët që do të afrohet tek ekipi i parë në prag të sezonit të ri futbollistik.

Autobuzë me tifozë drejt Tiranës

Për ndeshjen me Tiranën, që luhet në kryeqytet (besohet të martën) dhe që me shumë mundësi do të vendosë fatin e skuadrës kampione për të rinj, drejtuesit e akademisë “Vllaznia” kanë ndër mend të vënë një autobus në dispozicion të tifozëve, që duan të jenë të pranishëm në këtë ndeshje.

Në Shkodër e konsiderojnë një ndeshje shumë të rëndësishme këtë ndaj bardhebluve, ndaj pritet që shumë tifozë të udhëtojnë bashkë me skuadrën drejt Tiranës.

Idrizi: E merituam titullin kampion

Vllaznia U-17 është shpallur kampione e vendit dy javë përpara përfundimit të kampionatit. Diferenca është e mjaftueshme për t’iu gëzuar para kohe këtij trofeu. Në fakt, shkodranët duket se po “e bëjnë rrugë” këtë gjë. Themi kështu, pasi në 4 sezonet e fundit titulli ka ardhur 3 herë në Shkodër.

Suksesi i sivjetëm ka pasur shumë të veçanta, sepse, në fakt, Vllaznia nuk u mendua pretendente në fillim. Mirëpo gjatë rrugës “oreksi erdhi duke ngrënë” dhe pretendimet u shtuan. Trajnerët Entri Çaku e Nefail Zhejani kanë bërë një punë shumë të mirë e po ashtu edhe sportistët kanë dhënë kontributin e tyre maksimal në këtë ndeshje.

Njëri prej tyre është pikërisht sulmuesi kryesor i kësaj skuadre, Hysmir Idrizi. Ai ka shënuar plot 24 gola në këtë kampionat, duke dhënë një kontribut të madh në suksesin e skuadrës së tij. “Vllaznia e ka merituar plotësisht këtë titull kampion.

Sidomos në fazën e dytë kemi treguar një formë të shkëlqyer, duke i sfiduar të gjithë. Në aspektin personal, vërtet kam shënuar 24 gola, por duhet ta dini se kam goditur gati 20 shtylla, të cilat më kanë penguar ta pasuroj numrin e golave. Megjithatë, e rëndësishme është që këto shtylla nuk ndikuan në rezultatet e ekipit tim.

Në fakt, kam për të luajtur edhe dy ndeshje të tjera deri në fund të kampionatit dhe besoj se kjo shifër ka për t’u rritur.” Dy ndeshjet e mbetura deri në fund do luhen ndaj Tiranës dhe Laçit. Vllaznia ka ndër mend t’i fitojë edhe ato për të arritur shifra vërtet të këndshme në fund të këtij sezoni.

Ajo çfarë duhet përmendur është se ky ekip ka pasur një mbështetje të madhe të prindërve të këtyre fëmijëve, por edhe të tifozëve të tjerë, të cilët janë shtuar nga ndeshja në ndeshje, duke parë sesa bukur luanin këta futbollistë të së ardhmes. Akademia “Vllaznia” në këtë mënyrë ka me se të krenohet.

Nga Vllaznia U 17 mendohet të jenë disa futbollistë me shumë të ardhme që pas disa vitesh do të përfaqësojnë me dinjitet futbollin shkodran edhe në superiore me të rriturit. Njëri prej tyre natyrisht që është edhe sulmuesi Idrizi. Shkodranët gjithë këto vitet e fundit janë shquar për nxjerrjen e sulmuesve cilësorë, prandaj, me sa duket, edhe Idrizi do të jetë në këtë valle.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›