E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bllokohet baxho e palicencuar, sekuestrohen 12.5 kv djathë kaçkavall



BERAT - Drejtoria e Bujqësisë,Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, në kuadër të përhapjes në masë të epidemive dhe sëmundjeve të ndryshme infektive që kanë prekur kohët e fundit qarkun e Beratit, ka zbuluar dje një baxho klandestine, e cila ushtronte aktivitetin e saj të paligjshëm në fshatin Lumas, prej më shumë se 5-muajsh. Përgjegjësi i sigurisë ushqimore në këtë drejtori Ylmi Balliu, tha se është konstatuar se prodhimi i djathit kaçkavall bëhet pa asnjë dokumentacion përkatës, pa pasur asnjë preparat e aparat matës për të kontrolluar lëndën e parë të produktit të qumështit dhe pa plotësuar asnjë kusht të përpunimit të nënprodukteve të tij. Specialistët e bujqësisë kanë sekuestruar në këtë baxho 12.5 kuintalë djathë kaçkavall, si dhe u morën kampionet e djathit që prodhohet në këtë subjekt për të kryer analizat e tij. Gjatë kontrolleve të ushtruara nga Inspektoriati i Ushqimit në 23 baxhot që funksionojnë në qarkun e Beratit, janë bllokuar 9 prej tyre, të cilave iu është mbyllur aktiviteti përpunues.

27 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›