E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkrumbohet banesa nga shpërthimi i gazit



LEZHË - Shpërthen bombola e gazit, duke djegur një apartament në katin e katërt në lagjen “Besëlidhja” të qytetit të Lezhës, në pronësi të shtetases L. V. Ngjarja ka ndodhur në mesditën e së enjtes, ndërkohe që forcat e zjarrfikëseve kanë mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes duke fikur flakët e zjarrit. Sipas shefit të PMNZSH ( Policia e Mbrojtjes ndaj Zjarrit dhe Shpëtimit) të Qarkut të Lezhës, Zef Frani, në banesë janë djegur shumë orendi, por fatmirësisht nuk ka patur pasoja në njerëz. Ky është rasti i dytë i shpërthimit të bombolave të gazit në qytetin e Lezhës brenda këtij muaji. Në rastin e parë mbetën të plagosur nënë e bir si pasojë e shpërthimit të bombolës së gazit, teksa po kryhej zëvendësimi i saj.

Kontrabanda, pranga shqiptarit të Maqedonisë

KORÇË - Sektori i antikrimit ekonomik në Drejtorinë e Policisë së Korçës ka vendosur arrestimin e një 33-vjeçari me kombësi maqedonase, me akuzën se ka transportuar mallra kontrabandë. Sipas njoftimit për shtyp të kësaj drejtorie, rreth orës 20.30 të ditës së mërkurë është vendosur arrestimi i shtetasit Niko Stojani, lindur në fshatin Liqenas dhe banues në Ohër të Maqedonisë. Policia tha se arrestimi i këtij shtetasi u krye, pasi të mërkurën u kap në flagrancë duke transportuar mallra kontrabandë në rrugën Liqenas-Korçë. Gjatë kontrollit të mjetit tip "Mitsubishi" me targë CA 3665 MC, pronë e 33-vjeçarit Stojani, u gjetën 970 bluza, 460 palë bizhame si dhe 60 palë pantallona, të cilat dyshohet se janë futur kontrabandë nga Maqedonia nëpërmjet doganës së Gorricës

27 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›