Lëshoi breshëri plumbash mbi furgon, shpallet në kërkim
KRUJË – Një 20 vjeçar me banim në Pukë është shpallur në kërkim, pasi ka lëshuar një breshëri plumbash ndaj një furgoni, që ishte parkuar para banesës së një shtetasi dhe është zhdukur. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Durrësit bëjnë të ditur se dy ditë më parë u bë shpallja në kërkim dhe po punohet për kapjen e shtetasit Ndoc Ndoci, lindur në Pukë dhe banues në fshatin Miliskaj, të Thumanës së Krujës pasi dyshohet se po atë ditë, rreth orës 24.30, në oborrin e banesës së shtetasit Z.P., ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit furgon, tip Ford, me targa TR-3998-E, pronë e shtetasit Z.P. Dëmi i shkaktuar në furgon si pasojë e plumbave arrin rreth 4000 lekë.
Arrestohet, terrorizoi me armë një familje
DURRËS – Një 24 vjeçar është arrestuar në flagrancë, pasi ka terrorizuar një familje të tërë pas një konflikti, duke qëlluar me armë në ajër. Burimet zyrtare të Policisë së Durrësit bënë të ditur se të mërkurën, rreth orës 18.00, u bë ndalimi i Oliger Mullaji, lindur dhe banues në fshatin Fermë në Xhafzotaj, pasi gjatë një grindje të çastit me shtetasen M. L. (për shkak se ky i fundit kishte qëlluar me armë zjarri në ajër në afërsi të banesës së tyre), ka tentuar ta vrasë ketë të fundit si dhe familjarët e saj. Mullaji ka qëlluar me pistoletë dhe automatik në drejtim të tyre. Pas ngjarjes është bërë e mundur kapja e tij pas disa orësh. Policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale një pistoletë model 54 dhe 18 copë fishekë.
Kontrollet, bllokohen 5 pika tregtimi gazi
BERAT - Policia bashkiake,në bashkëpunim me Drejtorinë e Shërbimeve dhe Drejtorinë e Taksave në Bashkinë e Beratit, kanë organizuar pasditen e djeshme një kontroll blic në të gjitha pikat e tregtimit, me shumicë dhe pakicë të gazit që ndodhen në katet e para të pallateve, duke bllokuar pesë prej tyre. Në të gjithë qytetin janë gjithsej 40 pika të tilla, të cilat janë të licencuara në zyrën e Tatim-Taksave vetëm për tregtimin e produkteve të ndryshme ushqimore, ndërkohë që nuk kanë të drejtë të shesin bombola të gazit të lëngshëm. Drejtori i Policisë Bashkiake, Sokrat Godo tha se janë bllokuar 5 subjekte që nuk kishin zbatuar ligjin, të cilëve iu është vendosur gjobë me vlerë 50 mijë lekë.
27 Qershor 2008