“Asgjësimi” kap kokainën dhe marijuanën, pranga për 36-vjeçarin
GJIROKASTËR – Një sasi marijuane dhe kokaine ka rënë në grackën e policisë teksa po tentonte të futej në territorin grek, duke çuar në prangosjen e një 36-vjeçari. Në vijim të operacionit të koduar “Asgjësimi”, sektori i Luftës Kundër Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër, rreth orës 17.30, të ditës së djeshme, bëri të mundur kapjen në flagrancë në Pikën e Kalimit Kufitar të Kakavijës shtetasin Arben Kaçorri, lindur dhe banues në Tepelenë. Ndalimi I tij u bë, teksa ai po transportonte me mjetin e tij tip Mercedes, me targa TP 22 44 B, një sasi lënde narkotike të llojit kokainë dhe marijuana, me peshë 4.3 kilogram. Sipas zëdhënësit të Policisë së Qarkut, Gentian Mullai, “sasia e lëndë narkotike ishte e fshehur në një kovë plastike, të mbushur me salcë kosi dhe ishte e destinuar për në shtetin grek”. Gjatë kqyrjes së kovës plastike, rezultoi se brenda saj kishte 4 pako në formë katrore, me peshë 1 kilogramë secila, të mbështjella me letër natriban, të mbushura me lëndë narkotike të llojit marijuanë dhe një pako në formë drejtkëndëshi me peshë 300 gramë, e mbështjellë me letër natriban, ku brenda saj kishte lëndë narkotike të dyshuar si kokainë. Policia bëri sekuestrimin e lëndës narkotike dhe i automjetin në cilësinë e provës materiale si dhe arrestimin në flagrancë i shtetasi Arben Kaçorri, i cili akuzohet për veprën penale “trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike”. Materialet i kaluan Prokurorisë së Krimeve të Rënda në Tiranë për veprime të mëtejshme.
27 Qershor 2008