Karamanlis paralajmëron: “Greqinë e presin vite të vështira”
Kryeministri grek, Kostas Karamanlis deklaroi se Greqinë e presin vite të vështira dhe kjo është arsyeja që partia e tij “Demokracia e Re” nuk heq dorë nga reformat, në ndryshim nga PASOK-u që përhap populizëm, pasi nuk ka një politikë ekonomike.
Duke folur në lagjen e njohur athinjote “Egaleo”, ai theksoi se zgjedhjet i shpalli duke u nisur nga interesi kombëtar dhe tregoi se “në kohëra të vështira duhet që të mbizotërojë përcaktimi për hapa të vështirë”. “Kriza globale ekonomike i ka goditur të gjitha vendet, por Greqia sot është në një pozicion më të mirë nga shumë vende të tjera”,- shtoi kryeministri grek duke theksuar me këtë se qeveria e tij ka kryer punën e vet. Ndërkohë, lideri i PASOK-ut, Jorgos Papandreu deklaroi se pret fitoren e partisë së tij, sepse siç theksoi “vetëm ajo mund ta ndërpresë dobësimin e ekonomisë kombëtare”. Sipas sondazheve të fundit, PASOK-un e përkrahin pesë deri gjashtë për qind e popullsisë më shumë se “Demokracinë e Re”.
Qipro
Rinisin negociatat për bashkim
Në Qipro rinisën pas një prej një muaji, negociatat e drejtpërdrejta për bashkimin e Qipros, mes presidentit qipriot Dimitris Kristofias dhe liderit turko qipriot Mehmet Ali Talat.
Negociatat duhej të kishin filluar të enjten e javës së kaluar por takimi u shty në minutën e fundit kur një grup pelegrinazhi greko qipriot në pjesën veriore të ishullit, nuk mundi të lëvizte për shkak të keqkuptimeve ndërmjet qipriotëve grekë dhe turq në vendin e tranzitit të Limnitis.
Maqedoni
Gruevski nuk pranon dorëheqjen e ministrit
Kryeministri maqedonas, Nikola Gruevski nuk pranon dorëheqjen e ministrit të Transportit dhe Komunikacioneve, Mile Janakieski. Ky i fundit ofroi dorëheqjen si akt moral pas mbytjes sëe anijes “Ilinden”, të shtunën në Ohër ku humbën jetën 15 turistë bullgarë ndërsa 42 të tjerë u shpëtuan. “Kryeministri Gruevski ka vendosur të mos e pranojë dorëheqjen duke u udhëhequr nga gjendja reale dhe faktike e cila nuk tregon për përgjegjësi të ministrit”, shkruajnë agjencitë e lajmeve.
Japoni
Amnesty International kërkon moratorium
Amnesty thotë se të dënuarit me vdekje mbahen në izolim ekstrem
Organizata e të drejtave të njeriut, Amnesty International, i ka bërë thirrje qeverisë së re, që pritet të krijohet në Japoni javën e ardhshme, që të vendosë një moratorium për dënimin me vdekje. Kjo organizatë ka kritikuar kushtet në të cilat mbahen të burgosurit e dënuar me vdekje në Japoni. Sipas organizatës,ky është regjimi më ndëshkues që ekziston dhe po u shkakton sëmundje mendore të burgosurve japonezë.
Turqi
31 të vdekur, 8 të humbur nga vërshimet
Të paktën tetë persona konsiderohen ende të humbur nga vërshimet në Turqi, të cilat lanë të vdekur 31 persona. Mediat turke raportojnë se operacionet e pastrimit kanë filluar në zonat e përmbytura në perëndim të Stambollit dhe përgjatë bregdetit të Marmaras. Ka pasur kritika të shumta mbi ndërtimin e shtëpive pa leje ndërtimi, të cilat mund të kenë kontribuar në shkallën e fatkeqësisë.Qindra shtëpi janë dëmtuar ose shkatërruar. Ndërsa janë prishur disa rrugë kryesore.
11 Shtator 2009