Sejdiu për protokollin EULEX-Serbi: “Nuk ndryshojmë qëndrim”
Blerina Olldashi
Kosova nuk do ta pranojë protokollin e EULEX-it me Serbinë, megjithatë është pro bashkëpunimit me bashkësinë ndërkombëtare. Kështu deklaroi dje presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu pas takimit njohës me komandantin e ri të KFOR-it gjeneralin Markus Bentler. “Kosova nuk është aktor në këtë çështje. Kosova do të vazhdojë mënyrën më të mirë të mundshme të bashkëpunimit me EULEX-in, ICO-n, me KFOR-in, me bashkësinë ndërkombëtare që ka investuar shumë dhe do të investojë në Kosovë, për zhvillimet e përgjithshme”,- nënvizoi Sejdiu. Të njëjtin mendim ka shprehur edhe kryeministri Hashim Thaçi, duke hedhur poshtë pohimet se përfaqësuesit e Kosovës po bashkëpunojnë me EULEX-in për protokollin me Serbinë. “Dëshiroj të theksoj se Prishtina nuk është pjesë e këtij pretendimi të aranzhmanit teknik, por institucionet do të vazhdojnë koordinimin me të gjithë faktorët relevantë, për luftën pa kompromis ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar”,- theksoi kreu i ekzekutivit. Por ai tha se do ta vazhdojë bashkëpunimi i ngushtë me autoritetet e BE-së dhe vendet e rajonit. Ndërkohë sekretari i shtetit në Ministrinë për Kosovën në qeverinë e Serbisë konsideron se Kosova vetëm mund të shtyjë nënshkrimin e marrëveshjes Serbi-EULEX, por nuk mund ta anulojë atë. Sipas tij do të fillojnë bisedimet me EULEX-in për dy protokolle të reja, atë doganave dhe të gjyqësisë. Gjatë një interviste për BBC-në Ivanovic, tha se nënshkrimi i protokollit për bashkëpunim ndërpolicor pritet të bëhet gjatë muajit shtator. Ivanoviç tha se zgjidhja për situatën e krijuar do të mund të gjendej në formën që EULEX-i të ketë dy protokolle bilaterale, një me Serbinë si të domosdoshme dhe një tjetër me Kosovën.
“Protokolli për policinë, gjyqësinë e doganat është i pashmangshëm sepse kjo është mënyra e vetme që me këto protokolle teknike, marrëveshje teknike të përcaktohet puna e EULEX-it në këto hapësira. Nuk duhet harruar se EULEX-i ka ardhur me kushtin që Serbia ta pranojë. Pa Serbinë, EULEX-i nuk do të mund të shtrihej në gjithë territorin e Kosovës që do të thoshte se EULEX-i nuk do të mund të ishte efikas. Prandaj është në interesin më të mirë jo vetëm të serbëve dhe Serbisë por edhe të shqiptarëve të Kosovës që ky protokoll të nënshkruhet dhe të rregullohen problemet dhe të mbikëqyren të gjitha aktivitetet kriminale pavarësisht se ku kryhen, në Kosovë apo përmes Kosovës kalojnë në vendet përreth”,- shprehet Ivanoviç.
11 Shtator 2009